Përgatitjet janë bërë.
Të mërkurën, deputetët e Kuvendit të Kosovës synim e kanë konstituimin e Kuvendit.
E në këtë sallë, pritet të mblidhen në orën 11.
Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës po thotë se përgatitjet janë edhe në një fazë tjetër.
Artan Behrami pretendon se deputetëve iu ndalua parkimi në oborrin e Kuvendit një ditë para kësaj seance.
“Policia e okupuar nga Sfeqla paska marrë vendim që sot të mos lejojë asnjë deputet të parkojë në parkingjet zyrtare para Kuvendit dhe Presidencës. Vetëm një ditë pasi e kanë thirrur seancën! Niva që kishin me sjellë makineri të rënda për ta penguar hyrjen e vezëve dhe domateve në Kuvend”, shkroi Artan Behami.
Televizioni për këtë çështje iu drejtua me pyetje Kuvendit dhe Policisë.
Këta të fundit, përmes një komunikate treguan se u ndalua hyrje si shkak i pastrimit.
“Arsyeja e kësaj ndalese për datën 08.09.2026, sipas kërkesës zyrtare ishte pastrimi i oborrit dhe vend parkingjeve me mekanizëm adekuat, në të gjitha hyrjet – daljet dhe parkingjet e objekteve, përderisa ditëve në vijim shkresa parasheh kthimin e procedurave të rregullta të hyrje-daljeve dhe parkimit për personat e autorizuar”, njofton Policia.
Ndërkohë kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se do i vazhdojë përpjekjet edhe për zgjedhjen e presidentit.
“Vazhdojmë me takime dhe bisedime në mënyrë që të zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme dhe të kushtueshme… Jemi vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’i shtroni pyetje atyre që po thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit”, tha ai.
Zgjedhja e presidentit, nuk ka lidhje me konstituimin e Kuvendit thonë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ata vlerësojnë se nuk ka rrugë tjetër përpos asaj të konstituimit.
Por Naim Jakaj thotë se nevojitet që të ketë qartësim nga Kushtetuesja për situatën.
“Kur thotë edhe mas seancës me iu drejtu kushtetueses”, sqaroi Jakaj.
Kjo seancë është vazhdim i seancës së thirrur para një muaji.
Punimet për konstituim të Kuvendit të Kosovës nisën më 8 gusht.






