Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave U18 është mposhtur me vetëm një pikë diferencë nga Malta në gjysmëfinalen e FIBA Women’s U18 EuroBasket 2026, Divizioni C, që po zhvillohet në Pejë.
Pas një ndeshjeje shumë të luftuar dhe me rivalitet të madh deri në sekondat e fundit, Kosova nuk ka arritur ta sigurojë kualifikimin në finale, duke u ndalur nga Malta me një humbje minimale.
Pas këtij rezultati, basketbollistet kosovare do të luajnë për vendin e tretë në turne. Kundërshtare e tyre do të jetë Gjeorgjia, ndërsa ndeshja zhvillohet të dielën nga ora 16:30 në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë.
Ndërkohë, finalistja e parë e kampionatit është Qipro, e cila në gjysmëfinalen tjetër e ka mposhtur Gjeorgjinë dhe ka siguruar një vend në finalen e Divizionit C.
FIBA Women’s U18 EuroBasket 2026, Divizioni C, është zhvilluar nga 21 deri më 26 korrik në palestrën “Karagaçi” në Pejë, me Kosovën organizatore të këtij kampionati evropian për grupmoshat U18.




