Analisti politik, Ilir Deda e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm diskutimin e Kosovës me Gjermaninë dhe Francën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Deda ka theksuar se Kosova duhet të përshtatet me ndryshimet globale dhe rajonale, duke rishikuar qasjen e saj dhe duke shfrytëzuar mundësitë për të avancuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Unë do të doja që diskutimi me BE-në të përfshijë si statusin e vendit kandidat, ashtu edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në bashkëpunim me shtetet anëtare. Mendoj se është shumë i rëndësishëm një diskutim përmbajtësor me Gjermaninë dhe Francën lidhur me atë se çfarë duhet të bëjë Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe, së dyti, çfarë duhet të bëjë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Këto çështje janë shumë të rëndësishme për ne dhe duhet të ulemi e t’i trajtojmë pa paragjykime të së kaluarës dhe pa pengesa të tjera. Bota po ndryshon, rajoni gjithashtu mund të jetë duke ndryshuar, prandaj edhe ne duhet ta shohim këtë realitet dhe të shqyrtojmë se si mund ta maksimizojë Kosova pozicionin e saj për të ecur përpara në planin ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.
Sipas Dedës, Kosova nuk ka çfarë të humbasë nga procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, edhe nëse gjatë këtij procesi i paraqiten kushte të caktuara.
Ai ka vlerësuar se anëtarësimi në këtë organizatë do ta lehtësonte më pas edhe diskutimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Ne duhet të fillojmë të diskutojmë, sepse Kosova vetëm përfiton nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe nuk humb asgjë. Nuk ka çmim që duhet paguar, pasi Kosova vetëm fiton, pavarësisht se çfarë kushtesh mund t’i vendosen. Në Këshillin e Evropës anëtarësohesh me formulimin ‘shtet evropian’, ndërsa më pas do të ketë më pak pengesa edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pasi të njëjtat vende janë edhe këtu, edhe atje”, ka përfunduar Deda./teve1.info/







