Me 13 maj, Policia e Kosovës u vu në aksion.
Cak i tyre, ishin dy kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri.
V.R edhe E.S u arrestuan nën dyshimin për veprën penale “Marrje e Ryshfetit”
Kjo bëri që shumë pacientë të regjistruar për operim, të mbesin në listat e pritjes.
Gjendja e krijuar, sipas drejtorit të ri të spitalit, e shtyri t’i drejtohet për ndihmë Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
“Reparti i Kirurgjisë me dy kirurgë tjerë ka vazhduar të operojë me program të reduktuar dhe të trajtojmë rastet emergjente. Pas ardhjes time kemi arritur qe ta zgjerojmë programin edhe me raste elektive nga lista e pritjes dhe jemi ne përpjekje për rritje te kapaciteteve edhe me kirurgë tjerë te cilët pritet te na transferohen përkohësisht nga QKUK sipas kërkesës qe e kam parashtruar në SHSKUK për ta tejkaluar këtë situate. Sigurojmë secilin pacient qe është ne listën për trajtim qe jemi duke bërë përpjekjet maksimale qe pritja e tyre te jete sa më e shkurtër për ta marrë shërbimin”, ka thënë Muzaqi.
Për këtë çështje, Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Dhe Universitar të Kosovës, nëse do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Spitalit të Vushtrrisë.
Por, deri në publikimin e lajmit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë sipas udheheqesit të këtij spitali, dy kirurgët e arrestuar vazhdojnë të jenë të pezulluar nga puna.
“Me datë 15.05.2026 pas pranimit te Aktvendimit me nr te lendes 2026:091499 ku ju caktohet masa e paraburgimit dy punonjësve te Spitalit tone, Komisioni Disiplinor nxjerr vendim për PEZULLIM nga marrëdhënia e punës me kompensim prej 50% te pagës baze, me vendim nr.445/26”, theksoj tutje Muzaqi.
Ndryshe një ditë pas arrestimit, Gjykata Themelore në Mitrovicë, dy mjekëve u kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Pas kësaj, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte kërkuar vazhdimin e kësaj mase edhe për 30 ditë të tjera, gjë që ishte refuzuar nga gjykata.
Kjo masë dy kirurgëve, iu zëvendësua me arrest shtëpiak.
Ndryshe, V.R, Sipas Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në vitin 2017 ishte dënuar me 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit”.
Sipas gjykatës, ky dënim me burgim më pas është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.
Ndërsa edhe E.S, ka një rast aktiv në Gjykatën e Apelit.






