“Një Mur që na Ndanë”
“Gëzuar Viti i Ri 1989, të uron dhe të përqafon vasha jote, XHEVA!”
Është kjo njëra nga letrat që ia shkroi të fejuarit, tri ditë para ndërrimit të moteve.
Madje, dorëshkrimi i heroinës, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, depërtoi edhe brenda mureve të burgut të Stara Gradishkës në Kroaci.
Këtu si i burgosur politik, po mbahej i fejuari i saj, komandant, Fehmi Lladrovci.
Por, kjo nuk ishte komunikimi i vetëm që dy heronjtë e shkëmbyen brenda pesë viteve nga fundi i viteve të ’80-ta dhe fillimi i atyre të ’90-ta.
Plot 50 letra të tilla, u ekspozuan në kuadër të ekspozitës “Një Mur që na Ndanë” në “Reporting House”
Në secilën prej tyre, dallohet lehtë dashuria dhe respekti që dy të rinjtë, e kishin për njëri-tjetrin.
“Në ato çaste zemra kishte një rrahje jo të rëndomtë. Ritmin e kishte shumë të shpejtuar. Për një moment para meje u gjend vëllai! Ende pa u përshëndetur e pyeta: ‘Vetëm je?’”
“Unë pres këtu në sallë, se nuk më lejojnë të hy brenda. Emrin tim e kishin shlyer nga kartoni, se s’paskam të drejtë ta shoh shokun tim të jetës.”
Përkundër ndarjes dhe vështirësive, Xheva kishte vendosur ta priste Fehmiun.
Nga ndjenjat e saj, ajo nuk hoqi dorë as kur këtij të fundit iu shqiptua dënimi prej dhjetë vitesh burgim.
Madje, ajo edhe zgjodhi të shkonte nuse në familjen Lladrovci, duke veshur këtë kostum të kuq, në kohën kur Fehmiu vazhdonte të mbahej në burg.
“Fehmiu ishte dënuar me 10 vite, e pasi është dënuar me 10 vite, i kishte thënë Xhevës në një vizitë, ne jemi shokë, mbetemi shokë sic kemi qenë edhe përpara, ti mund ta kërkosh fatin, pasi këto 10 vite mund të zgjasin edhe më shumë dhe ajo i thotë jote, i thotë përjetë jam e jotja dhe nga aty ka vendosur që Xheva të shkojë në familjen e Fehmiut dhe ta pres aty”, tregon Shemsije Istogu-Lladrovci, kunata e Xhevës.
Dy heronjtë atë kohë, po i ndanin qindra kilometra.
Por, ajo që po i bashkonte ishte dashuria dhe mallin për njëri-tjetrin.
“Gjithnjë e më shumë e ndiej mungesën tuaj, por vetëm fizikisht nuk je me mua. Mendja, shpirti e zemra janë një tek unë e ti. Tërë kohën e mbaj me vete fytyrën tënde, të cilës largësia i dha përgjithmonë formën e mallit dhe të pritjes.”
Një pjesë e këtyre letrave i ruajti kunata e Xhevës, Shemsije Istogu-Lladrovci.
“Nuk e di, mendoj që është diçka hyjnore ndërmjet tyre, ka pasur diçka rrezatuese ndërmjet tyre sepse ndiheshe ndryshe kur ishin ata. Ndonjëherë kur mungonin, edhe ktheheshin u thosha, edhe muret e shtëpisë po gëzohen kur po vini ju. Kam qenë më fat që kam jetuar afër tyre”, shprehet ajo.
Nga të gjitha letrat, Shemsija e veçoi atë të datës 16 janar të vitit 1988.
“Xheva çdo gjë që e ka thënë e ka thënë me një kuptim të veçantë, çdo që ka shkruar e ka një kuptim por do te veçoja atë pjesën kur i shkruan Fehës, me 16 janar 1988 e i thotë “Jeta jonë do të jetë pasqyrë besnike e ndershmërisë njerëzore dhe me të vërtetë jeta e tyre e tillë ishte”, thotë Istogu-Lladrovci
E veçantë ishte edhe dita e kthimit në vendlindje e Fehmi Lladrovcit.
Ashtu si gjithçka e shkruar, i tillë ishte edhe momenti i takimit mes Xhevës, Fehmiut dhe nënës së heroit.
“Ditën që Fehmiu është kthyer, nëna e Fehmiut kishte dhimbje koke dhe Xheva e merr me dërgu tek doktori në Drenas, kur shkojnë tek treni, meqenëse treni ka qenë i vetmi mjet qarkullimi, në momentin që këto kanë dashtë më hyp në tren ka zbrite Fehmiu… Ka qenë shumë interesante takimi i tyre, thonë që është ndal treni janë dalë të gjithë udhëtaret dhe më shumë emocione kanë duartrokit përqafimin më nënë dhe Xhevën”, shprehet ajo.
Me kthimi i Fehmiut nga burgu, filluan edhe përgatitjet për dasmë, të cilat zgjatën një javë.
Në dasmë ishte e pranishme edhe Shemsija, e cila, së bashku me Ramiz Lladrovcin, u fejua po atë ditë.
“Ka qenë një javë përgatitja rreth dasmës, dasma e tyre ka qenë një dasmë madhështore ka pasur njerëz nga të gjitha trojet shqiptare ngase Fehmiu ishte i përmasave të tilla kishte shkuar gjithandej viseve shqiptare.Kam qenë pjesë e dasmës së tyre me kërkesë të Fehmiut që unë dhe Sevetja të jemi afër Xhevës, po atë ditë është bërë edhe fejesa ime dhe Ramizit…”, tregon Istogu-Lladrovci.
Në këtë formë, filloi jeta e çiftit të ri nga Drenica.
Ndërsa dy heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk u ndanë asnjëherë më.
Madje, njëri-tjetrin nuk e braktisën as me 22 shtator të vitit 1998, kur krah njëri-tjetrit, ranë heroikisht gjatë një beteje me forcat serbe në Gllanasellë të Drenasit.



