Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në parti, duke vlerësuar se vetëm përmes një procesi demokratik mund të rikthehen besimi, legjitimiteti dhe energjia për një cikël të ri politik.
Në një reagim publik, Gashi tha se besimi është kapitali më i madh i një force politike dhe se ai ndërtohet mbi vlera, ideale dhe një program që i shërben shtetit dhe qytetarëve.
Sipas tij, pas disa proceseve zgjedhore në të cilat LDK nuk ka arritur të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve, partia duhet të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi, në vend se të kërkojë fajtorë.
“Kur për disa zgjedhje me radhë nuk arrijmë me e fitu besimin e shumicës, nuk duhet me kërku fajtorë. Duhet me kërku përgjigje. Në politikën e qendrës së djathtë, përgjegjësia asht virtyt, jo dobësi. Vetëm përmes reflektimit, meritës dhe përgjegjësisë rikthehet besimi”, ka shkruar ai.
Gashi theksoi se demokracia e brendshme është forca më e madhe e LDK-së dhe jo një rrezik për partinë, ndërsa shtoi se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja për të rikthyer legjitimitetin dhe besimin.
“Prandaj, zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. Janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për nji cikël të ri politik”, u shpreh ai.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së vlerësoi se vendi i tretë nuk duhet të pranohet si normalitet për partinë, duke shtuar se anëtarësia dhe elektorati presin një LDK që fiton zgjedhjet, qeveris dhe udhëheq me vizion.
Në fund, Gashi u bëri thirrje strukturave të partisë që të organizojnë zgjedhje të brendshme për të ndërtuar, siç tha ai, një lidership të ri dhe një mision të përbashkët për rikthimin e besimit të qytetarëve./teve1.info/







