Kanë hyrë në fuqi masat e reja të paketës kundër dhunës, të prezantuar disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, të cilat parashikojnë ashpërsim të gjobave për shkeljet gjatë tubimeve, kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale të dhunshme gjatë protestave.
Sipas ndryshimeve në ligjin për tubimet, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar dhe fshehja e paligjshme e identitetit dënohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Për mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit, gjoba mund të arrijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa në rastet kur personi është i maskuar, masa financiare shkon nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Ndërkohë, personat që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve gjatë tubimeve do të gjobiten me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi. Gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.
Paketa e re i jep drejtuesit të drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mundësinë për të ndaluar ose kufizuar tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës. Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë dhe mund të rinovohet vetëm një herë, me një vendim të ri të arsyetuar.
Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu zona të mbrojtura, ku përfshihen stacionet dhe terminalet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat e institucioneve arsimore e shëndetësore dhe objektet e trashëgimisë kulturore. Në raste të caktuara, policia mund të urdhërojë largimin e një personi nga këto zona për një periudhë deri në 48 orë.
Një tjetër parashikim lidhet me mesazhet që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të tubimeve. Policia mund t’u kërkojë personave të identifikuar fshirjen e përmbajtjeve të tilla dhe mos përsëritjen e veprimeve. Nëse përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore.
Po ashtu, policia do të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimeve, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës, duke iu nënshtruar rregullave për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.
Krahas ndryshimeve në ligjin për tubimet, qeveria ka miratuar edhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur faktet lidhen me veprime të dhunshme gjatë grumbullimeve dhe protestave publike.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna për personat e identifikuar në materialet e referuara në prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme ndaj personave ose pronës publike dhe private.
Vendimi parashikon që Policia Kufitare të ketë akses të kufizuar në regjistër për verifikimet kufitare dhe zbatimin e masave ligjore. Në rastet kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme, autoritetet kufitare mund të refuzojnë administrativisht daljen jashtë vendit, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin për kontrollin e kufirit shtetëror.
Nëse personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet kufitare parashikohet të njoftojnë autoritetet e vendit ku ai udhëton për faktin se është referuar për veprat përkatëse.
Policia parashikohet gjithashtu të njoftojë strukturat private të akomodimit për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme dhe për të cilët materialet janë referuar në prokurori.
Sipas vendimit, nevoja për ruajtjen e të dhënave të personave të referuar duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Në rast se prokuroria njofton mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.
Vendimi përcakton se përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave duhet të kryhen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit dhe proporcionalitetin.










