Avokati Visar Rrecaj, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar institucionet për mungesën e strehimoreve të mjaftueshme dhe duke kërkuar përgjegjësi për dështimet që, sipas tij, kanë ndodhur në këtë rast.
Rrecaj ka vlerësuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Qeverinë, e cila, sipas tij, si pushtet ekzekutiv ka obligim të sigurojë mjetet financiare dhe infrastrukturën e nevojshme për institucionet që merren me mbrojtjen e qytetarëve.
“Ka dështuar Qeveria, sepse Qeveria është pushteti ekzekutiv që i ka mjetet buxhetore dhe e ka për obligim t’i sigurojë të gjitha mjetet logjistike, objektet dhe pajisjet. Sikur prokuroria dhe policia të kishin pasur strehimore të mjaftueshme, ata me siguri do ta dërgonin viktimën në një strehimore të sigurt”, ka deklaruar Rrecaj.
Ai ka kritikuar mungesën e investimeve shtetërore në këtë fushë, duke përmendur nevojën për ndërtimin e shtatë strehimoreve në rajone të ndryshme të Kosovës. Sipas tij, shteti duhet të krijojë kushte më të mira për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Avokati ka komentuar edhe kërkesat për dorëheqje që u dëgjuan gjatë protestës së mbajtur pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ai ka thënë se dorëheqjet morale janë të rëndësishme kur institucionet nuk arrijnë t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre, duke theksuar se ministrja e Drejtësisë duhet të japë dorëheqje.
“Është mirë të kemi dorëheqje, sidomos dorëheqje morale. Kur flitet për këtë çështje, ata mburreshin se janë të gatshëm të japin dorëheqje, por tani, kur erdhi situata, nuk po japin dorëheqje. Është mirë të japë dorëheqje ministrja e Drejtësisë”, ka thënë Rrecaj.
Rrecaj ka komentuar edhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas tij, seanca nuk arriti të përqendrohej sa duhet te përgjegjësia institucionale dhe te masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar raste të ngjashme.
Ai ka kritikuar përplasjet politike mes deputetëve, duke vlerësuar se diskutimi u largua nga qëllimi për të cilin ishte thirrur seanca.
“Seanca e jashtëzakonshme në Kuvend ishte taksirat i mendimeve. Nëse i kanë marrë dhe i paguajnë për këto seanca, atëherë vdekja e një njeriu po bëhet dreka e tyre. Ishte një seancë e turpshme, ku ata bënin hesapet e tyre dhe sulmonin njëri-tjetrin politikisht, pa kurrfarë baze, duke i dhënë seancës një drejtim krejt tjetër nga ai për të cilin ishte thirrur”, ka deklaruar Rrecaj.
Ai ka shtuar se gjatë seancës janë ngritur edhe çështje të tjera politike, përfshirë debatet për përgjegjësinë dhe dorëheqjet e zyrtarëve, duke kritikuar mënyrën se si është zhvilluar diskutimi parlamentar.







