TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Vendimtarë për qeveritë, të harruar pas fushatave: Si i shohin zgjedhjet minoritetet joserbe

by teve1
2 orë ago
0
A A
Vendimtarë për qeveritë, të harruar pas fushatave: Si i shohin zgjedhjet minoritetet joserbe

Para dyqanit të vogël të familjes së tij në Reçan të Prizrenit, Ramo Sagdati shikon nga rruga dhe rendit problemet që, sipas tij, kanë mbetur të pandryshuara prej vitesh.

“Shikojeni këtë rrugë… Shikojeni edhe rrjetin elektrik… Mjafton të dilni jashtë dhe do t’i shihni vetë problemet”, thotë ai.

Reçani, i banuar kryesisht me boshnjakë në pjesën jugore të Kosovës, numëron 1.066 banorë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vend.

Në fshatin mes maleve të Zhupës, rreth 20 minuta larg Prizrenit, gjenden një stacion policor, një zyrë e gjendjes civile dhe një postë.

Banorët i përmendin këto institucione si dëshmi se zona ka tashmë një pjesë të infrastrukturës administrative që do t’i nevojitej një njësie më të pavarur lokale.

Megjithatë, sipas Sagdatit, komuniteti vazhdon të përballet me sfida që shkojnë përtej infrastrukturës.

“Jemi boshnjakë dhe qytetarë të Kosovës. Kemi jetuar këtu gjithmonë. Nuk jemi larguar gjatë luftës. Megjithatë, shpesh ndihemi sikur trajtohemi si të huaj”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sagdati përmend mungesën e përdorimit më të gjerë të gjuhës boshnjake në institucionet lokale, si dhe vështirësitë me tekstet shkollore për nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhën e tyre.

Por, premtimi që disa banorë e theksojnë është ai për krijimin e Komunës së Zhupës me qendër në Reçan.

“Ne kemi kërkuar komunë që nga dita e parë, por për 23 vjet kemi marrë vetëm premtime. Tani edhe politikanët tanë kanë ndaluar së foluri për këtë çështje”, thotë Sagdati.

Kërkesa për krijimin e Komunës në Reçan është diskutuar prej më shumë se dy dekadash.

Ajo u bë pjesë e debatit dhe u mbështet në periudha të ndryshme nga udhëheqësit politikë në Kosovë, por nuk u realizua asnjëherë.

Statusi i komunës do t’i mundësonte zonës një buxhet të ndarë, kompetenca më të mëdha në ofrimin e shërbimeve publike, planifikim më të pavarur të zhvillimit lokal dhe qasje direkte në fondet që ndahen për komunat.

Sagdati beson se kjo do të krijonte kushte më të mira për zhvillimin ekonomik.

“Merrni shembull Mamushën. Është vetëm një fshat dhe është komunë. Ndërsa këtu kemi 13 fshatra dhe rreth 17 mijë banorë”, thotë ai.

Mamusha është e vetmja komunë në Kosovë e banuar nga një shumicë joshqiptare dhe joserbe. Në atë komunë, me 93 për qind të banorëve turq, jetojnë 5.607 persona.

Sipas Sagdatit, potenciali për zhvillimin e turizmit malor, bujqësisë dhe blegtorisë mbetet kryesisht i pashfrytëzuar, duke u mohuar të rinjve të kësaj zone mundësi reale zhvillimi.

“Djali, vajza dhe nipërit kanë shkuar në Slloveni. Tani, të gjithë punojnë atje”, shton ai.

Pak metra larg dyqanit të Sagdatit, në burektoren ku punon prej dy vjetësh, Xhemajl Vajshini thotë se sistemi shëndetësor mbetet ndër shqetësimet kryesore të banorëve.

“Politikanët tanë duhet të kthehen më shumë nga zona jonë. Jo vetëm para zgjedhjeve, por edhe pas zgjedhjeve”, thotë ai.

Ndërkaq, Islam Azemi, banor i fshatit Lubinjë në të njëjtën zonë, thotë se kërkesa kryesore e banorëve mbetet përfundimi i rrugës nëpër të cilën kalojnë të gjithë banorët e kësaj zone.

“Kur janë zgjedhjet, politikanët premtojnë shumë gjëra. Siç themi ne, rrafshojnë kodra e lugina me premtime. Por, kur zgjedhjet mbarojnë, gjithçka mbetet njësoj si më parë”, thotë ai.

Rreth 75 kilometra larg Reçanit, në një lagje të banuar kryesisht nga romë, ashkalinj dhe egjiptianë në Fushë Kosovë, shqetësimet janë të tjera, por ndjenja e zhgënjimit ndaj politikës tingëllon e ngjashme.

Fitim Kadriu, i cili jeton aty që nga viti 1973, tregon për problemet që, sipas tij, janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Ai thotë se edhe kur ka investime, ato shpesh nuk përfundojnë.

“E kanë bërë projektin e ujësjellësit, i kanë vendosur gypat, por nuk kanë lënë askund mundësi që banorët të kyçen në rrjet”, thotë ai.

“Kanë ardhur, e kanë përfunduar në letër, por ne ende nuk kemi ujë siç duhet”, shton ai.

Kadriu thotë se mungesa e shërbimeve bazike nuk është problemi i vetëm.

Sipas tij, fëmijët e komunitetit shpesh nisin shkollimin me më pak përgatitje se bashkëmoshatarët e tyre, për shkak të disa problemeve, si: mungesa e një çerdheje publike.

“Kur fëmijët shkojnë në shkollë, kanë detyra që ne nuk e dimë se si t’i ndihmojmë. Ne nuk kemi pasur mundësi shkollimi siç duhet. Kjo, pastaj, shihet në çdo hap”, thotë ai.

“Premtime, premtime, premtime… Mund të flasim një vit, dy vjet për problemet tona, por, në fund, premtimet mbesin vetëm fjalë”, thotë Kadriu.

Për 19-vjeçarin Florent Berisha, problemet ekonomike nuk janë të ndara nga përvoja e përditshme e diskriminimit.

Ai thotë se shpesh ndien se mënyra se si trajtohet në shoqëri, lidhet drejtpërdrejt me përkatësinë e tij etnike.

“Më pengon diskriminimi. Shumë njerëz na shohin si më pak të vlefshëm. Na thonë: ‘Ti je ashkali, ti s’ke para’”, thotë ai.

Berisha thotë se mungesa e mundësive e shtyn gjithnjë e më shumë të mendojë për largim nga vendi.

“Po mendoj seriozisht të shkoj në Gjermani”, thotë ai. “Këtu nuk shoh shumë perspektivë”.

Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me një aspekt të jetës, por me një kombinim faktorësh që e bëjnë qëndrimin në Kosovë të vështirë për të rinjtë e komunitetit.

“Duhet të ketë më shumë vende pune, më shumë mundësi për shkollim dhe më shumë investime”, thotë ai. “Pa këto, nuk ke se si të qëndrosh këtu”.

Komunitetet joserbe në Kosovë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvend, një mekanizëm i paraparë për të siguruar përfaqësim politik dhe një platformë për adresimin e nevojave të tyre specifike.

Megjithatë, shumë prej banorëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk shohin përmirësime të mjaftueshme në jetën e përditshme.

REL-i kontaktoi përfaqësues nga të gjitha subjektet politike që garojnë për ulëset e garantuara për komunitetet joserbe në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke i pyetur për prioritetet e tyre dhe mënyrën se si planifikojnë t’i adresojnë nevojat e komuniteteve që përfaqësojnë.

Përgjigje mori vetëm nga Emilija Rexhepi, kryetare e “Nova Demokratska Stranka”, e cila tha se komuniteti i saj, boshnjak, përballet me “të gjitha të mirat dhe të këqijat si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës”.

“Jemi të përqendruar në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, identitetit dhe gjuhës, sistemit arsimor dhe shëndetësor, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e fabrikave”, tha ajo, duke shtuar se partia e saj do t’i adresojë këto çështje përmes Kuvendit, Qeverisë dhe përfshirjes së kërkesave të komuniteteve në buxhetin e shtetit.

Historikisht, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe janë bërë pjesë e qeverive të pasluftës në Kosovë.

Për shkak të numrit të kufizuar të deputetëve dhe peshës që mund të kenë në krijimin e shumicave parlamentare, votat e tyre shpesh kanë qenë vendimtare për formimin e qeverive.

Për banorët e Reçanit, Fushë Kosovës dhe shumë zonave të tjera ku jetojnë komunitetet joserbe, pyetja mbetet e njëjtë: nëse përfaqësimi politik ka siguruar vend në institucionet e Kosovës, pse kaq shumë prej premtimeve që dëgjojnë në çdo fushatë, vazhdojnë të mbeten të parealizuara?!

ShareTweet

Postime të ngjashme

Rrusta: Kurti po synon ta kapë Prokurorinë, ndërsa afrimi Osmani–Abdixhiku nuk sjell energji të re

Rrusta: Kurti po synon ta kapë Prokurorinë, ndërsa afrimi Osmani–Abdixhiku nuk sjell energji të re

​Bardiqi: Sistemi i sigurimeve shëndetësore pritet të funksionalizohet brenda vitit

​Bardiqi: Sistemi i sigurimeve shëndetësore pritet të funksionalizohet brenda vitit

PZAP e konfirmon që kanë pranuar ankesë nga Lista Serbe

​PZAP anulon vendimin e KQZ-së që lejonte mërgatën të votojë me dokumente të skaduara

Përurohet rruga Sofali–Kolovicë, Qeveria financoi 1.5 milion euro

Përurohet rruga Sofali–Kolovicë, Qeveria financoi 1.5 milion euro

Rrusta: Kurti po synon ta kapë Prokurorinë, ndërsa afrimi Osmani–Abdixhiku nuk sjell energji të re

Rrusta: Kurti po synon ta kapë Prokurorinë, ndërsa afrimi Osmani–Abdixhiku nuk sjell energji të re

​Bardiqi: Sistemi i sigurimeve shëndetësore pritet të funksionalizohet brenda vitit

​Bardiqi: Sistemi i sigurimeve shëndetësore pritet të funksionalizohet brenda vitit

PZAP e konfirmon që kanë pranuar ankesë nga Lista Serbe

​PZAP anulon vendimin e KQZ-së që lejonte mërgatën të votojë me dokumente të skaduara

Përurohet rruga Sofali–Kolovicë, Qeveria financoi 1.5 milion euro

Përurohet rruga Sofali–Kolovicë, Qeveria financoi 1.5 milion euro

RTK në krizë financiare, sindikatat paralajmërojnë protesta nga e marta

RTK në krizë financiare, sindikatat paralajmërojnë protesta nga e marta

Arrestohet një person në Ferizaj, për vjedhje të rëndë në tentativë

Policia e Kosovës shton masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 7 qershorit

Mbi gjysmë miliard euro tatime të mbledhura për vetëm 5 muaj

Mbi gjysmë miliard euro tatime të mbledhura për vetëm 5 muaj

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën