Koalicioni i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN, ka reaguar për situatën politike në Kosovë, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike, qetësi institucionale dhe tejkalim të mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe mekanizmave demokratikë.
“Situata e krijuar në Kosovë kërkon përgjegjësi politike dhe qetësi institucionale. Çdo mosmarrëveshje duhet të tejkalohet përmes dialogut dhe mekanizmave demokratikë, pa tensione dhe pa veprime që mund të dëmtojnë stabilitetin e vendit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
VLEN ka dënuar çdo formë të dhunës dhe u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të përmbahen nga tensionet.
“Në këtë drejtim, dënojmë çdo formë të dhunës dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të përmbahen nga tensionet dhe të kontribuojnë në qetësimin e situatës. Institucionet e Kosovës duhet të jenë vendi ku zgjidhen të gjitha çështjet politike”, thuhet në reagim.
Koalicioni ka uruar që sa më shpejt të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe të mbyllet ngërçi politik.
“Urojmë që sa më shpejt të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe të mbyllet ngërçi politik. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe përqendrim në çështjet që janë në interes të qytetarëve”.
Në reagim thuhet se gjendja aktuale politike nuk i bën nder Kosovës dhe nuk i shërben forcimit të pozitës së saj në rajon.
“Një Kosovë stabile dhe funksionale është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë rajonin”.
VLEN thekson se përgjegjësia politike, dialogu dhe respektimi i institucioneve janë rruga e vetme për tejkalimin e situatës.
“Për këtë arsye, besojmë se përgjegjësia politike, dialogu dhe respektimi i institucioneve janë rruga e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Kosova ka nevojë për qetësi, stabilitet dhe institucione që funksionojnë”, thuhet në reagimin me shkrim të VLEN-it.







