Sulmuesi i skuadrës së Drenicës, Kreshnik Uka, e ka fituar epitetin e lojtarit më të mirë për xhiron e parafundit të këtij sezoni në Superligën e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën, ka bërë të ditur se Uka është shpallur “Ylli i Javës”, çmim ky që ndahet për futbollistin me paraqitjen më të mirë pas përfundimit të secilës xhiro.
Kështu që, Komisioni i Veteranëve të futbollit, ka vlerësuar se çmimi për lojtarin më të mirë të xhiros së 35-të, i takon Ukës pas paraqitjes së mirë që e pati në fitoren e Drenicës.
Drenica triumfoi 3:2 ndaj Ferizajt, ndeshje kjo në të cilën Uka shënoi dy gola dhe bëri një asistim për të mbajtur gjallë shpresat e ekipit të tij që mos të mbetet në barazh.
Pasi mori çmimin, Uka u shpreh i lumtur për suksesin e arritur dhe rëndësinë e fitores së Drenicës kundër Ferizajt.
Ai shtoi se ndihet krenar që në këtë triumf ka kontribuar me dy gola dhe një asistim, ndërsa ka falënderuar të gjithë bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, tifozët e Drenicës, si dhe Federatën për çmimin.
Në fund, Uka shtoi se Drenica në ndeshjen e fundit të sezonit, ku përballet në udhëtim me Prishtinën synon fitoren për t’i ikur barazhit.
Aktualisht, Drenica është e shtata në tabelë me 47 pikë, një më shumë se pozita e tetë, e cila dërgon në barazh.









