Prizreni do të mirëpresë këtë verë edicionin e katërt të festivalit “Prizren Rock n Blues Fest”, i cili do të mbahet më 3, 4 dhe 5 korrik, duke sjellë një program më të pasur artistik dhe shumë surpriza për adhuruesit e muzikës rock.
Organizatorët kanë paralajmëruar se edicioni i sivjetmë do të ketë një koncept të veçantë, ku do të ndërthuren tributet për legjendat botërore të rock-ut me performancat e emrave të njohur shqiptarë të muzikës rock të viteve ’80.
Drejtori i festivalit, Hekuran Gashi, ka bërë të ditur se emrat e artistëve pjesëmarrës do të publikohen së shpejti, ndërsa ka premtuar një atmosferë unike për publikun.
Sipas organizatorëve, festivali do të zhvillohet në dy skena të mëdha përgjatë tri netëve, me synimin që Prizreni të vazhdojë të mbetet një nga qendrat kryesore të kulturës rock në hapësirën shqiptare.
“Prizren Rock n Blues Fest” pritet të tërheqë artistë dhe vizitorë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit.











