Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Prokuroria ishte njoftuar vazhdimisht për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku po prezantohet raporti për veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, Gërvalla tha se dokumentacioni ka zbuluar se institucionet e drejtësisë kishin informacione për rrezikun që i kanosej viktimës.
Sipas saj, edhe kryeprokurorja ishte njoftuar me shkrim për rastin vetëm dy ditë para vrasjes, ndërsa prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar hapjen e rastit për kanosje ndaj Arlinda Zekajt.
“Prokuroria ishte e njoftuar për dhunën dhe kërcënimet e Arlinda Zekajt. Për zhvillimet e rastit ishin të njoftuar vazhdimisht prokurorët. Më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte e njoftuar me shkrim. Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja theksoi se raporti ka evidentuar mangësi serioze në trajtimin institucional të rastit, duke ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si ishte trajtuar kërkesa e viktimës për mbrojtje.
Ajo tha se, në vend që institucionet të ndërmerrnin masa për largimin e rrezikut nga Arlinda, asaj i kërkohej të largohej nga prona e saj për t’i shpëtuar rrezikut.
Duke paraqitur kronologjinë e ngjarjeve, Gërvalla rikujtoi se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në Policinë e Kosovës, ku kishte raportuar dhunë fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas ministres, ajo kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe kishte njoftuar Policinë se ish-bashkëshorti posedonte armë me leje.
Po ashtu, Gërvalla tha se viktima ishte përballur me pengesa për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakte të rregullta me djalin e saj 12-vjeçar, ndonëse ishte bashkëpronare e pronës.
Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë, duke shprehur frikën për jetën e saj dhe të fëmijës.
Megjithatë, sipas raportit të prezantuar nga ministrja, gjykata e kishte miratuar vetëm pjesërisht kërkesën, ndërsa më 9 shtator Arlinda kishte kundërshtuar vendimin, pasi ai nuk përfshinte edhe çështjen e kujdesit për djalin e saj.
Gërvalla bëri të ditur gjithashtu se lidhur me rastin janë ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të Prokurorisë, përfshirë suspendimin e kryeprokurores dhe prokurores përgjegjëse.







