Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u organizua këtë të hënë prezantimi i strategjisë së re “Vision to Victory 2026-2030”, një plan që synon zhvillimin e futbollit shqiptar në të gjitha nivelet gjatë katër viteve të ardhshme.
Siç thuhet në njoftimin e FASHF-s, strategjia është ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s dhe përfshin projekte për rritjen e pjesëmarrjes, forcimin e strukturave organizative, investime në infrastrukturë dhe formimin e talenteve të rinj.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bëri një bilanc të strategjisë së kaluar “Futbolli për Kombin”, ku 95% e objektivave janë realizuar ose në fazë të avancuar. Ai theksoi se deri në vitin 2030 synohet të rritet numri i futbollistëve të regjistruar nga 24,078 në 26 mijë, përmes programeve në shkolla, komunitete dhe mbështetjes direkte për klubet e moshave të reja. Në aspektin e infrastrukturës, strategjia parashikon ndërtimin e 30-40 fushave të reja, kryesisht në Tiranë, dhe theksohet nevoja për 200 fusha në të gjithë vendin me mbështetje nga buxheti shtetëror.
Duka shtoi se objektivat për ekipet kombëtare mbeten pjesëmarrja në turnetë finale Europian dhe Botëror për ekipin A të djemve, kalimi i fazës së grupeve për U-21 në Euro 2027 dhe pjesëmarrja e ekipit të vajzave në Ligën B, me synim kualifikimin në Europianin 2029. Ai përfundoi duke theksuar se “Vision to Victory” nuk është thjesht një dokument vizioni, por një plan veprimi për të çuar futbollin shqiptar në një nivel më konkurrues dhe për të zhvilluar komunitetet dhe vendin.
Në fjalën e tij, Duka u shpreh se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe vetëm me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim, futbolli shqiptar mund të arrijë rezultate konkrete dhe të konsolidojë vizionin e prezantuar.
Kujtojmë se zgjedhjet për president të FSHF-së mbahen më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Gjatë Asamblesë do të zgjidhen presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin katërvjeçar.










