Sot shënohen 15 vjet nga tragjedia e 21 Janarit, ku katër protestues, konkretisht Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u qëlluan për vdekje. Ngjarja ndodhi më 21 janar të 2011-ës, ku qindra qytetarë ishin ngritur në protestën e socialistëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.
Tensionet mes protestuesve dhe gardistëve u agravuan deri në tentativat e qytetarëve për t’u futur në oborrin e kryeministrisë, çka pasoi të shtënat brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur katër protestuesit e sipërpërmendur.
Në vitin 2021, 10 vite pas ngjarjes së rëndë, kryeministri Edi Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit e vrarë.
Në vitin 2023, ish-kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut.
Vendimi i Strasburgut dhe nisja e hetimeve nga SPAK
Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut në mars të 2024-ës që e cilësoi 21 Janarin si krim shtetëror dhe që të hetohej si e tillë nga drejtësia shqiptare, duke i hapur kështu rrugë hetimeve nga ana e SPAK e cila ngriti 3 vepra penale: “shpërdorim i detyrës”, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.
Një sërë zyrtarësh e ish-zyrtarësh janë marrë në pyetje nga SPAK për të zbardhur rolin e tyre gjatë protestës së 21 Janarit të 2011-ës, sikurse ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, zëvendësi i tij Agron Kuliçaj, deputeti i PS, Xhemal Qefalia, ish-ministri Saimir Tahiri, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, ish-deputeti socialist Arben Çuko, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Bamir Topi, presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, etj,.
Nisja e hetimeve paraprake
Kujtojmë se fillimisht drejtësia shqiptare vendosi 4 vite burg për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012.
Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm.
Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”.
Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.
Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve.
Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg.
Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.
Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, Kolegji Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.
Familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.
Qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave.
Nga ana tjetër, familja Nika kishin vijuar procesin ligjorë duke kërkuar hetim të veçuar për vrasjen e Aleks Nikës.
Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021. Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kalonte për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.
Pas një viti, Gjykata e lartë doli më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjes Nika dhe të niste hetimet për 21 Janarin. /rtsh.al/











