Ekuacionet matematikore i zgjidhë pa shumë mund.
Lehtësia me të cilën i gjen zgjidhjet, Kanita Avdylit nga Prishtina, i mundësohet për faktin se ajo bën pjesë në 1% të popullsisë së botës me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Detyrave të vështira, Kanita thotë se shpeshherë u jep përparësi, ndërsa interesim të veçantë ka për matematikën.
“Më së shumti fokusohem në lëndën e matematikës, më pëlqejnë ekuacionet e matematikës, dhe jam e zgjedhur për gara komunale në klasë të 9të kështu që kam filluar të përgatitem më herët por edhe më pëlqen lënda e artit. Kam dëshirë që në shumicën e lëndëve të mësoj më shumë se sa që janë në temat e librave që të jem e përgatitur për sfida më të vështira. Kom pasion edhe shkrimin edhe leximin, më pëlqejnë librat fantastikë edhe shkruaj ese imagjinare. Kur lexoj libra tjerë që kanë ngjarje fantastike, imagjinare më japin një frymëzim që edhe unë me shkru për shkak se më pëlqen të mendoj jashtë kutisë dhe jo vetëm për realitet”, deklaroi ai.
Suksesi i saj u konfirmua edhe në një garë në gjuhën angleze, ku eseja e Kanitës u vlerësua fillimisht në nivel shkolle, e më pas në nivel vendi dhe në fund në gara ndërkombëtare.
“Eseja ka qenë në gjuhën angleze, temën e kemi ditë at ditë dhe e kemi shkru në klasë, ajo së pari është zgjedh eseja më e mirë në mes të shkollës e pastaj në Kosovë e pastaj kemi pasë gara ndërkombëtare me shtete të ndryshme. Ka qenë një ndjesi shumë mirë nuk e kam prit që kam me marr vendin e parë, kom pas vetëbesim po prapë nuk kom mujt me imagjinu që në gara internacionale kom me mar vendin e parë edhe kur e kom mar lajmin kom qenë tepër e gëzuar”.
Mentor i Kanitës është caktuar kujdestari i klasës, i cili ishte personi që vërejti shkathtësitë e veçanta të nxënëses së tij.
“Duke qenë se isha duke e ndjekë një trajnim për inteligjencë të jashtëzakonshme, e pashë të arsyeshme që edhe Kanitën ta testojmë për një gjë të tillë. Kanita pati një rezultat shumë të mirë, për faktin se u rendit në mesin e 1% të popullsisë së botës në bazë të testimeve ndërkombëtare. …Janë teste të standardizuara që në Kosovë administrohen nga instituti Atomi. Instituti atomi me sa e di unë është i vetmi që ofron teste të tilla të standardizuara që bëhen pothuajse gjithandej botës”, deklaroi kujdestari i klasës, Valdrin Rrahmani.
Arsimtari Valdrin Rrahmani tregon se Kanita dallohet për mënyrën e thjeshtë dhe efikase të zgjidhjes së problemeve komplekse.
“Ka raste kur ofron zgjidhje edhe për probleme të komplikuara, për të cilat edhe të rriturit mund të hasin në probleme. Në raste të caktuara edhe na ndihmon në fusha të caktuara, kur kemi në nevojë”, tregoi ai.
Kanita tashmë trajtohet nga shkolla përmes një programi të veçantë, i cili aplikohet për fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Kronikë e realizuar nga gazetarja Jona Kelmendi.






