Në zgjedhjet e 28 dhjetorit nga delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropes, PACE, ka venë re se në disa qendra të votimit materialet e zgjedhjeve nuk ishin në dispozicion në gjuhë tjera përveç asaj shqipe dhe se qasja për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfidë në shumë vendvotime.
Kryetari i PACE, Yunus Emre ne një konferencë për media vlerësoi këto zgjedhje si të qeta dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale.
Emre tha se refuzimi i certifikimit të Listës Serbe dhe listës se saj të kandidatëve ngrit shqetësim lidhur me qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit.
“Zgjedhjet ishin të përgatitura mirë nga ana teknike, pavarësisht afateve të shkurtra, dhe u vlerësuan përgjithësisht si gjithëpërfshirëse. Megjithatë, për herë të katërt këtë vit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi certifikimin e partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, dhe listës së saj të kandidatëve. Ky vendim u rrëzua më pas nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme. Ky model i përsëritur ngriti shqetësime lidhur me qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit”, tha Emre.
Emre përmendi se gjatë procesit zgjedhor dje në një qendër votimi, administrata zgjedhore nuk lejoi praninë e një ekipi vëzhgues të PACE gjatë numërimit të votave.
“Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit të vëzhguara, delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale, me zyrtarë zgjedhorë të trajnuar mirë dhe me një atmosferë pozitive që mbizotëronte në qendrat e votimit të administruara nga zyrtarë të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë. U vu re një zvogëlim i fletëvotimeve të pavlefshme për shkak të vlerësimit më të saktë të vullnetit të shprehur nga votuesit. Në disa qendra të votimit materialet e zgjedhjeve nuk ishin në dispozicion në gjuhë tjera përveç asaj shqipe. Qasja për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfidë ne shumë vendvotime. Votuesit që kërkojnë asistencë gjatë votimit duke përfshirë personat që nuk dinë shkrim e lexim ishte po ashtu një problem në disa vendvotime. Fatkeqësisht, në një qendër votimi, administrata zgjedhore nuk lejoi praninë e një ekipi vëzhgues të PACE gjatë numërimit të votave”, u shpreh Emre.
Tutje Emre tha se këto zgjedhje synonin të vendosin fundin e një ngërçi politik.
Ai u bën thirrje të gjithë akterëve të tregojnë përgjegjësi në rikthimin e institucioneve funksionale përpara zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në pranverën e vitit 2026 nga Kuvendi i Kosovës.
“Duke u mbajtur në një datë që përkon me kthimin e një numri të konsiderueshëm të anëtarëve të diasporës për festat e fundvitit, disa modalitete që lejojnë votimin jashtë vendit në ambientet diplomatike ose përmes postës u përmirësuan gjithashtu. Këto zgjedhje të parakohshme synonin të vendosnin fundin e një ngërçi politik. Delegacioni i bën thirrje të gjithë akterëve të tregojnë përgjegjësi në rikthimin e institucioneve funksionale përpara zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në pranverën e vitit 2026 nga Kuvendi i Kosovës, dhe të respektojnë aspiratat demokratike dhe euro-atlantike të votuesve”, shtoi ai.
Kryetari i PACE tha po ashtu se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Komisioni i Venecias janë të gatshëm të bashkëpunojnë për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit zgjedhor dhe forcimin e kapaciteteve të akterëve përgjegjës për menaxhimin e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan dje, më 28 dhjetor në Kosovë, ku partia e parë doli LVV, e dyta PDK, e treta LDK dhe katërta AAK.









