Një ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike thonë se po përpiqen të krijojnë një listë konkurruese dhe gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin dhe përvojën brenda strukturave të tyre. Në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, deklarojnë se janë afër finalizimit të listave, siç shtojnë duke kombinuar edhe emra të rinj me figurat e njohura politike. Të njëjtat bëjnë të ditur se në listat e kandidatëve për deputetë do të jenë edhe deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë, e cila për shkak të krizës politike nuk mori asnjë vendim. Në anën tjetër, analistët politikë u bëjnë thirrje partive politike që në listat e tyre të kenë njerëz profesionistë dhe energji të reja.
Partitë politike deri tani veç kanë bërë publike disa nga emrat që do të jenë kandidatë për deputetë, por kanë kohë deri më datën 7 dhjetor për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se 50 për qind e listës do të përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat e partisë, kurse 50 për qind tjetër, do të caktohen nga kryesia dhe kryetari, Albin Kurti.
Ajo nuk tregon se si do të ndahet lista edhe me partnerët e koalicionit, Guxo, Alternativa dhe PShDK.
“Ne jemi në përgatitjet e fundit sa i përket listës zgjedhore. Data 7 është afati i fundit kur ne do të dorëzojmë listën. Natyrisht, ne si LVV kemi pasur thirrjet te të gjithë anëtarët e LVV-së që kanë interes të kandidojnë dhe adresojnë të gjitha procedurat në raport me këtë. 50 për qind e listës përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat dhe 50 për qind nga kryesia dhe kryetari Albin Kurti. Ende nuk kemi vendosur dhe janë diskutime që po zhvillohen mes Kurtit, Gërvallës dhe Kusari-Lilës. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Besoj se të dielën do të jenë të gjitha informacionet sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje”, thekson ajo.
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, thotë se do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore, krahas figurave eminente të partisë.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me traditën që lista e saj të ketë emra të rinj. Do të ketë shumë freskime dhe prurje të reja përmes të cilave ne besojmë dhe shpresojmë që do të kemi një votë të re. Ne e kemi kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën, i cili ka treguar se është figurë përbashkuese dhe nuk është figurë përçarëse. Me këtë energji të mirë dhe me këtë energji të përbashkimit do të hyjmë në fushatë me shpresën që ata që dikur e kanë votuar LVV-në të kthehen rreth vizionit të Bedri Hamzës… Ka qenë praktikë e etabluar në PDK që ata që kanë qenë deputetë mund të garojnë sërish për deputetë. Unë besoj se ky mandat shtatë-tetëmujor nuk ka qenë mandat fare. Për neve që kemi qenë për herë të parë deputetë, fushata zgjedhore e 9 shkurtit nuk ka përfunduar dhe është vazhdimësi e asaj fushate”, thotë Behrami.
Kurse, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, thotë për KosovaPress, se janë duke kompletuar listën, e cila sipas saj, është rifreskuar, për dallim nga zgjedhjet e fundit. Ajo konfirmon se në listë do të jenë edhe ish-deputetët e legjislaturës së kaluar.
“LDK-ja është duke kompletuar listën për kandidatë për deputetë, por edhe kandidatët tanë që janë për ekzekutiv dhe udhëheqësin e listës, kryetarin Abdixhiku, që është i nominuar për kryeministër të Kosovës. Mendoj se kësaj here do t’ia dalim shumë më mirë sepse kemi një listë të rifreskuar, një vizion të qartë. Jemi duke bartur një peshë historike për t’ua zgjidhur problemet qytetarëve të Kosovës. Duke marrë parasysh të gjitha këto komponentë, besoj se LDK-ja do të dalë më mirë se kurrë… (ish-deputetët e legjislaturës së nëntë) patjetër që do të jenë, secili prej tyre që ka ambicie do të jetë në këtë listë pasi kanë fituar së voni edhe ata vota”, deklaron Lushaku.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nisma-s, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve rreth listave të tyre zgjedhore.
Ndërsa analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress, se partitë politike duhet të sjellin energji të reja në listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, nëse në lista do të jenë të njëjtit njerëz, është e vështirë që skena politike të reformohet.
“Ajo që partitë duhet obligativisht të bëjnë është të sjellin resurse të reja njerëzore, profesionale. Profesionistë të rinj, djem dhe vajza të reja dhe të rifreskojnë edhe skenën politike. Nëse do të jenë të njëjtit njerëz që kanë qenë deri tani, s’ka shumë shpresë që skena politike mund të reformohet dhe të mund të ketë ndonjë ndryshim pozitiv. Prandaj, shpresa e vetme për një rezultat pozitiv edhe pas 28 dhjetorit është që partitë të bëjnë maksimumin në ndryshimin e imazhit të tyre. Po ashtu edhe fuqizimin e aspektit profesional sepse me këtë populizëm ekstrem nuk mund të ketë asnjë perspektivë pozitive”, thekson Muhaxhiri.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor.









