Të gjithë që po vijnë së pari po ndalën këtu.
Në hyrje të Xhamisë së Vjetër në Podujevë, xhematlinjëve po u shpërndahet nga një plis kombëtar.
Kjo për shkak se në ditën e xhumasë, kryesia e Xhamisë ka vendosur që në ditën e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë ta falin me plis në kokë.
Para faljes, xhamia filloi të mbushej me njerëz e të gjithë pothuajse vendosën plisin në kokë.
Për nder të kësaj dite, iu këndua edhe komandantit legjendar, Adem Jashari.
Imami, Imri Llugaliu tregoi pse kanë vendosur ta shënojnë në këtë mënyrë përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Meqenëse feja na mëson dhe ky far inspirimi na ka ardhë nga burimet tona fetare që si besimtarë duhet ta duajmë vendin tonë dhe duhet të punojmë shumë për vendin tonë. Kështu që sot edhe figurativisht ta shprehim atdhedashurinë duke ardhë në xhami me u falë me plisa edhe pak na e kujton edhe atë kohën e mëhershme të paraluftës kur kemi pasë shumë prindër edhe gjyshër që kanë ardhë me plisa dhe që fatkeqësisht sot është pothuajse në zhdukje ky symbol sepse nuk po përdoret e sado pak ta ngjallim këtë traditë”, tregoi imami i xhamisë
Edhe në ligjëratën e tij, hoxha u foli besimtarëve për atdhedashurinë.
“Përmes kësaj simbolike t’i ngjallim ndjenjat tona kombëtare, sepse po e shohim që disa kanë nisë me i harru, disa me i zbehë ndjenjën, dashurinë ndaj kombit dhe ndaj historisë edhe të trashëgimisë sonë. Kjo është trashëgimi e jona, plisi është histori e jonja, është identitet i joni, është dinjitet, simbolizon paqen, simbolizon pastërtinë”, u shpreh Llugaliu.
Ky veprim u mirëpritet edhe nga llapjanët, të cilët thonë se iu përgjigjen me shumë dëshirë.
“Shumë i mirë, hallall iu qoftë të gjithëve, edhe hoxhës, edhe xhematit. Duhet me bë me mujt, po në qoftë se e bëjnë. Shumë mirë, gjeneratat e reja hallall iu qoftë” , tha njw qytetar.
“Kjo ditë e flamurit e 28 nëntorit që e ka oganizuar hoxha na ka thënë sa herë të bjen në ditë xhumaje duhet me festu dhe është veprim i mirë, ka pasë plisi një rol të veçant se është simbol i joni. Mendoj çdo xhami duhet me bë. Mirë e kanë prit xhemati të rinjt mirë krejt”, u shpreh Fatmir Kaqiu
“Ndjenjë e mirë u ndjeva mirë që jam shqiptar. E prita shumë mirë sepse simboli jonë është plisi se na jem shqiptarë dhe iu ndjeva shumë krenar. Mendoj që duhet me pasë këso organizime sepse jemi shqiptarë dhe na duhet për atdhedashuri”, tha Altrim Hoxha.
Në këtë xhami është bërë tradicionale që cilado festë kombëtare që rastis të jetë ditën e premte, xhemati të kryejë ritualet fetare me plis në kokë.







