Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, organizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Me këtë rast, presidentja ka vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Islamit në shkencë, arsimin universitar dhe zhvillimin institucional, duke theksuar rëndësinë e veprës së tij në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve.
Sipas saj, promovimi i këtyre dy veprave nuk përfaqëson vetëm shënimin e një jubileu, por edhe nderimin e një jete të përkushtuar ndaj dijes, shkencës dhe interesit të përgjithshëm të vendit.
“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, është shprehur Shiroka Pula.
Ajo ka theksuar se, si kolege e tij për shumë vite, ka pasur mundësi të njohë nga afër përkushtimin ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional dhe angazhimin institucional të akademikut.
“Prandaj, kam dëshiruar prej kohësh që këtë përvjetor ta shënojmë në mënyrë dinjitoze, jo vetëm për të vlerësuar veprën e tij shkencore, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen tonë për gjithçka që ka bërë për Universitetin, Akademinë dhe shkencën shqiptare”, ka deklaruar Presidentja Shiroka Pula.
Presidentja ka thënë se 80 vjet jetë dhe më shumë se pesë dekada veprimtari akademike e shkencore përbëjnë një rrugëtim të pasur me punë, sfida dhe arritje, që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë.
Një ndër kontributet kryesore të Islamit, sipas saj, është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë.
“Ai ka organizuar studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe ka kontribuar në përgatitjen e brezave të rinj të studiuesve, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, ka pohuar Presidentja Shiroka Pula.
Shiroka Pula e ka cilësuar akademik Hivzi Islamin si një nga themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe një nga studiuesit e njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare.
“Veprimtaria e tij shkencore përfshin disa libra dhe më shumë se 150 studime e artikuj të botuar në revista dhe publikime shkencore vendore e ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Gjatë fjalës së saj, presidentja është ndalur edhe te sfidat demografike me të cilat përballet Kosova, duke përmendur emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë dhe rënien e lindshmërisë.
Sipas saj, këto procese ndikojnë në tregun e punës, ekonomi dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Ndër veprat e promovuara është edhe libri “Kosova: Tranzicioni i fundit demografik në Evropë”, i cili trajton proceset e transformimit demografik të popullsisë së Kosovës.
Në përfundim, Shiroka Pula ka deklaruar se puna dhe vepra e akademik Hivzi Islamit do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës./teve1.info/











