Protestat e dhunshme në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë për përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, si dhe për dëmtimin e godinave qeveritare dhe bizneseve private.
BBC raporton se protestuesit kanë sulmuar ndërtesa qeveritare në kryeqytetin shqiptar, ndërsa situata është shoqëruar me përplasje me forcat e rendit dhe akte dhune ndaj pronës private.
Edhe gazeta britanike The Guardian i kushton vëmendje përshkallëzimit të protestave, duke vënë në dukje se ato vijnë pas disa muajsh pakënaqësie dhe demonstratash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Sipas gazetës, kërkesa kryesore e protestuesve është largimi i tij nga pushteti. Ajo e vendos këtë valë protestash edhe në kontekstin e mobilizimeve studentore në vende të tjera të Europës, ku shqetësimet lidhen me arsimin dhe kostot e jetesës.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton për zjarrvënie dhe dëmtime të ndërtesave në Tiranë, duke i cilësuar ngjarjet si ndër protestat më të dhunshme të zhvilluara kundër Ramës.
Kryeministri, i cili siguroi një mandat të katërt pas zgjedhjeve të majit, po përballet me pakënaqësi në rritje lidhur me akuzat dhe dyshimet për korrupsion që përfshijnë zyrtarë të lartë të qeverisë.
Megjithatë, pakënaqësia ndaj qeverisë nuk duket se përkthehet domosdoshmërisht në mbështetje për opozitën. Sipas raportimeve, një pjesë e protestuesve i konsiderojnë edhe figurat opozitare si alternativa të papranueshme për drejtimin e vendit.
Përshkallëzimi i situatës në kryeqytet pasqyrohet edhe nga Politico, e cila vë në fokus jo vetëm dhunën dhe dëmtimin e institucioneve, por edhe kritikat ndaj policisë për përdorimin e pretenduar të tepruar të forcës kundër demonstruesve dhe gazetarëve.









