Më shumë se gjysma e votuesve me të drejtë vote para një muaji, do të mund të votojnë sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 9 nëntor.
Një milion e 316 mijë e 672 votues në 18 komuna, nga mbi dy milionë sa kishin të drejtë vote në të gjithë vendin më 12 tetor, ftohen sërish të dalin për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Ky numër i votuesve është i shpërndarë në 507 Qendra të Votimit, me gjithsej 1.628 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për KosovaPress se tashmë ata kanë kryer përgatitjet e nevojshme dhe se gjatë ditës së sotme materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është dërguar në komunat që janë pjesë e balotazhit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndërmarrë veprimet e planifikuara për mbajtjen e rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Gjatë ditës së shtunë, KQZ ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, në 18 komuna, në të cilat do të votohet më 9 nëntor. Ky material, në orët e hershme të mëngjesit do të dërgohet në Qendrat e Votimit / Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00”, tha Elezi.
Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për informimin e publikut mbi të dhënat kyçe të procesit zgjedhor, statistikat e pjesëmarrjes në votime dhe rezultatet preliminare të kandidatëve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet e nevojshme që në ditën e votimit, më 9 nëntor, të përcjellë për publikun të dhëna të rëndësishme për procesin zgjedhor të rundit të dytë të këtyre zgjedhjeve. Objektiv kryesor mbetet publikimi i rezultateve preliminare brenda një kohë sa më të shkurtër pas mbylljes së vendvotimeve. Në këtë raund, procesi i numërimit të fletëvotimeve është më pak i ndërlikuar për shkak se në çdo fletëvotim janë vetëm nga dy kandidatë dhe kjo rrjedhimisht reflekton edhe në aspektin kohor”, tha Elezi.
Balotazhi për kryetarë të komunave do të mbahet nesër në 18 komuna – Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.







