Nga kjo e premte këta shtretër të repartit të hemodializës në Spitalin e Gjilanit mund të mbesin bosh.
Kjo meqë mungesa e furnizimit me materialet e nevojshme për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e veshkave në këtë repart është goxha e dukshme.
E më këto materiale shpenzuese, reparti i hemodializës furnizohet nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, sipas shefit të këtij reparti Afrim Bekteshi.
Ani pse sot janë furnizuar me këtë material, ka drojë se si do të vazhdohet me trajtimin nga e premta.
“Ka probleme pak, por ne vazhdimisht furnizohemi prej SHSKUK-së, domethënë asnjë pacient nuk ka mbetur pa i kryer seancat e hemodializës të cilat janë të parapara me program. Sasia e mjaftueshme për me u dializa pacientët e sotit edhe për nesër kem, më tutje vendosin strukturat e SHSKUK-së në Prishtinë”, ka thënë Bekteshi.
Kurse edhe vetë pacientët shprehen të shqetësuar për situatën në të cilën është reparti.
Tahir Shabani i cili tash e një dekadë hospitalizohet këtu, tha për televizonin se deri më sot nuk janë lajmëruar për ndërprerjen e shërbimit, por se ka frikë se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Disa i blejmë, disa janë këtu. Gjithë i kemi marr me të këtyre, por disa gjëra i kemi ble disa injeksione që nuk gjinden. Jo, nuk mundemi ne hiç me shkuar në Prishtinë, duhet me qëndruar pa dializë, larg është”, është shprehur Shabani.
Ndërkohë, nga SHKSKU, në një përgjigje për tëvë1 kanë thënë se sot janë furnizuar të gjitha spitalet me materiale për dializë, derisa kanë theksuar se nuk do të ndërpriten shërbimet.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sot gjatë ditës ka furnizuar të gjitha spitalet e përgjithshme me material për dializë. Nuk do të ndërpriten shërbimet për pacientët, por ka mundur të ketë ndonjë vonesë në fillim të shërbimeve, e që nuk ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj të cilëve kërkojmë mirëkuptim, duke i njoftuar se të gjithë do të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore nga stafi i dializës së institucionit përkatës”, kanë njoftuar nga SHSKUK-ja.
Probleme me mungesë të tillë materialesh për trajtimin e dializës janë shfaqur edhe në disa spitale të tjera të Kosovës.






