Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë buxhetin 2025.
Kurti tha se buxheti i Kosovës gjatë qeverisjes së LVV-së është rritu vit pas viti, duke mos ndryshuar asnjë politikë tatimore.
Kurti tha se për dallim nga qeveritë e kaluara, LVV-ja siguroi buxhetin të orientohen për te qytetarët.
“Për të arritur deri këtu, këto katër vite kaluam nëpër shumë sfida globale dhe të brendshme e njëkohëshisht për dallim nga të tjerët para nesh u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët tanë. Duke e bërë vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore. Sepse, investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme”, deklaroi Kurti.
Mes tjerash, kryeministri tha se me buxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh prioritet e kanë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën si dhe mbrojtjen.
“Me këtë buxhet e kemi prioritet arsimin e shëndetësinë, por edhe infrastrukturën e mbrojtjen. E kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, vazhdimin e krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë. Për vitin e ardhshëm presim që rritja ekonomike të arrijë 5.6 për qind të bruto produktit vendor në terma real dhe synimi ynë është që këtë rritje ta bëj duke i përfshirë të gjithë ashtu siç na takon dhe siç e meritojnë qytetarët, duke mos e lënë asnjë anash”, deklaroi kryeministri.
Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.
Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.