Klinika e Onkologjisë ka nevojë për më shumës staf. Kështu thotë qytetarja, Merita Gojani nga Gjakova, e cila ka një familjar që merr terapi çdo tri javë në këtë klinikë.
“Ne e kemi një familjar që merr kimioterapi çdo tri javë. Kisha thënë që të investohet më shumë në onkologji. Kam ble edhe ilaçe. Apeloj kryeministri dhe ministrit të investojnë në onkologji dhe të sjellin staf. Nuk kas staf të mjaftueshëm vetëm 2 infermiere punojnë këtu. Ka nevojë për barna edhe aparatura”, tha ajo.
Mungesën e infermierëve e pranon edhe vetë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, veçse ai thotë që do ketë konkurse për këto pozita.
“Shumë punë janë duke u bërë në ministri të shëndetësisë. Tashmë ligji për çmimin e barnave ka kaluar dhe shumë shpejt qytetarët nuk do të kenë nevojë të paguajnë barna trefish. 85 infermierë kanë qenë që janë pranuar kohën e fundit në QKUK dhe shpejt pritet edhe konkurse tjera. Janë disa klinika që e përballen me mungesë të infermierëve”, thotë Vitia.
Tutje, Vitia thotë që nga e marta e javës së ardhshme do të funksionalizohet aparatura për rrezatim.
“Nga e marta e ardhshme është komplet funksionale aparatura për rrezatim për shkak të renditjes së pacientëve dhe do të mund të marrin shërbimin. Kjo ka filluar 10 ditë më herët dhe kjo procedure zgjatë 5 deri në 6 muaj”.
Megjithatë opozitarët, po e vlerësojnë shëndetësinë si një minierë korrupsioni në Kosovë.
“Shëndetësia është vazhdimësi e të gjitha qeverisjeve të cilat kanë pasur probleme të mëdha me shëndetësinë. Shëndetësia është një minierë korrupsioni në Kosovë. Sistemi aktual që nga fillimi ka krijuar hapësirë për korrupsion në tërësi meqenëse s’ka sigurime shëndetësore një pjesë e mjekëve janë korruptuar. Korrupsioni është instaluar përmes shërimit të pacientëve në Turqi dhe vende tjera ku ka sistem korruptim të pakontrolluar. Importimi i ilaçeve dhe sjellja e tyre që një pjesë e madhe e tyre janë të falsifikuara. Edhe mund të ketë mungesa të mjekëve sepse oferta nga gjermania për punësim është joshëse për secilin njeri. Meqenëse po pretendojmë të jemi pjesë e BE-së do të duhej sistemi të funksiononte”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
E Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se duhet menduar se si të kthehet truri në Kosovë.
“Kjo qeveri është e skandaleve. Përkundër faktit që e ka rritur buxhetin impakti buxhetor nuk është duke u vërejtur në rritjen e shërbimit qoftë përmes barnave esenciale. Ne duhet t’ia mundësojmë mundësitë tona secilit i cili është i interesuar të japë kontributin e vet për çka është i përgatitur. Edukimi në mjekësi nuk është pa kosto dhe atë kosto e bart shteti. Deri më sot nuk kemi parë një hap të shtetit në drejtim të kushtëzimit të mjekëve dhe infermierëve që janë edukuar në sistemin shëndetësor. Çdo ditë kemi migrim të profesionistëve shëndetësor dhe nuk po na presin ditë të mira. Dhe duhet të mendojmë si ta kthejmë trurin brenda”.
Më tej, Dreshaj ka theksuar që Shëndetësia nuk ka qenë as nuk është prioritet i qeverisë dhe situata vazhdon të jetë e mjegulluar me skandale.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Fitore Berisha.