Tri institucione kryesore financiare të Kosovës, të cilat menaxhojnë paratë e shtetit dhe të kontributpaguesve, kanë mbetur pa udhëheqje, për shkak të “luftës politike”, thotë profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.
Sipas tij, partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës synojnë që pozitat t’ua shpërndajnë njerëzve të tyre.
Ndërkohë që stabiliteti financiar i shtetit lëkundet, institucionet nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trust, ka mbetur pa bord nga 1 marsi. Në fund të po këtij muaji ka skaduar edhe mandati i guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa Administrata Tatimore e shtetit menaxhohet me ushtrues detyre nga viti i kaluar.
Të premten, më 7 prill, Komisioni për buxhet dhe financa ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të nisë nga fillimi. Kurse, ai i përzgjedhjes së kandidatëve për Bordin e Fondit Pensional po të premten është kthyer në pikën zero.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës mbledh paratë e kontributpaguesve kosovarë. Shuma e këtyre mjeteve ka arritur në mbi 2.4 miliardë euro – një pjesë e të cilave është e investuar në tregjet ndërkombëtare.
Tentimi i parë për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit ka dështuar.
Banka Qendrore e Kosovës njoftoi më 7 prill se, për shkak të mangësive të evidentuara, konkursi do të rishpallet javën e ardhshme.
Siç thuhet, gjatë konkursit “kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve brenda një periudhe të arsyeshme kohore”.
Aktivitetin e Fondit të Kursimeve e rregullon Kuvendi i Kosovës, i cili emëron anëtarët e Bordit, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës.
Mandati katërvjeçar i të gjithë anëtarëve ka skaduar në nëntor të vitit të kaluar, por, për shkak të mosemërimit, ata e kanë vazhduar mandatin edhe për 90 ditë.
Mandati i tyre ka përfunduar në fund të muajit shkurt.
Konkursi për anëtarë të Bordit ka qenë i hapur në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe për këto pozita kanë konkurruar 48 kandidatë. Nga Fondi thonë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha dokumentet e pranuara nga ta janë dërguar në Bankën Qendrore të Kosovës.
Bordi përbëhet nga së paku pesë anëtarë profesionistë, dy anëtarë përfaqësues, një i organizatave të punëdhënësve, një i organizatave të punëmarrësve dhe një përfaqësues i Qeverisë pa të drejtë vote.
“Në mungesë të Bordit drejtues nuk mund të ndryshohet gjendja e investimeve. Asnjë lëvizje e mjeteve, shtim, tërheqje ose ndryshim nuk mund të bëhet nga organet e tjera të Fondit”, thotë zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi.
Sipas tij, kontributet e reja mbesin në llogarinë e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe në Bankën Qendrore të Kosovës. Mjetet e Trustit janë të investuara në 23 fonde të ndryshme në gjithë botën.
Në rast të shfaqjes se ndonjë vështirësie financiare në tregjet ndërkombëtare, ku janë të investuara mjetet, mungesa e Bordit e pamundëson qasjen në investime. Pasojat, pastaj, barten te qytetarët, thotë profesori Bektashi.
Nëse në bursat ndërkombëtare ka luhatje të çmimeve, mund të ulen investimet e, rrjedhimisht, edhe vlera e mjeteve të kontributpaguesve, sqaron ai.
“Çdo ditë e humbur në zgjedhjen e Bordit drejtues është rrezik potencial për paratë e kontributpaguesve”, thotë Bektashi.
Edhe ATK-ja me ushtrues detyre
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) udhëhiqet, po ashtu, me ushtrues detyre, Ilir Murtezajn, nga shkurti i vitit të kaluar.
Drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni emërohet nga kryeministri i Kosovës, bazuar në rekomandimin e dorëzuar nga Ministria e Financave.
Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Financave nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur pritet të shpallet konkurs për këtë pozitë dhe a pengon në proceset vendimmarrëse pozita e ushtruesit të detyrës.
Misioni ATK-së është që t’i mbledhë tatimet dhe kontributet, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Vitin e kaluar, ky institucion ka inkasuar 723.9 milionë euro tatime.