Nëse republikanët marrin kontrollin e Kongresit, atëherë ata do të mund të bllokojnë agjendën e presidentit amerikan, Joe Biden, përfshirë edhe frenimin e mundshëm të mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, që po përballet me pushtimin e Rusisë.
Në këto zgjedhje, qytetarët votuan për 35 ulëse në Senatin prej 100 anëtarësh dhe për të 435 ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve.
Sipas Associated Press, në Dhomën e Përfaqësuesve më së shumti ulëse kanë fituar republikanët, gjithsej 203, kundrejt demokratëve që kanë marrë 176 ulëse. Edhe në Senat prijnë republikanët me 49 ulëse, ndërsa demokratët me vetëm një më pak, respektivisht 48 ulëse.
Gara më e rëndësishme e fituar nga demokratët është në Pensilvani, ku John Fetterman fitoi ulëse, që paraqet një pikë kyçe për shpresat e partisë së tij që të mbajë kontrollin e Senatit.
Associated Press tha se ende është herët të shpallen fituesit për Senat në Uiskonsin, Nevada, Xhorxhia dhe Arizona – shtetet që pritet të përcaktojnë fituesin e shumicës në Senat.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mbajtën ulëset nga Virgjinia, në Kansans, ndërkaq në shumë qarqe në Nju Jork dhe Kaliforni fituesit është ende herët që të parashikohen.
Demokratët po ashtu u treguan të suksesshëm në garat për guvernatorë, duke fituar në Uiskonsin, Miçigan dhe Pensivlani – shtete që i siguruan fitoren Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj ish-presidentit Donald Trump. Por, republikanët kanë mbajtur postet e guvernatorëve në Florida, Teksas dhe Xhorxhia.
Me votat që ende po numërohen në mbarë SHBA-në, republikanët ende kanë mundësinë që të fitojnë kontrollin e Kongresit. Por, rezultatet ishin të gëzueshme për demokratët të cilët ishin përgatitur për humbje të mëdha – dhe rezultatet tani ngrenë dyshime se sa ulëse do të kenë republikanët, nëse fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përfaqësuesi republikan, Kevin McCarthy, pritet të bëhet kryetar i Dhomës, nëse republikanët marrin kontrollin e institucionit.
Ai ishte optimist dhe u tha mbështetësve “kur të zgjoheni nesër, ne do të kemi shumicën”.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, u kundërpërgjigj duke thënë se partia e saj do të mbajë kontrollin e këtij institucioni.
“Derisa gara në shumë shtetet mbetet e ngushtë, duket qartë se anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kandidatët fuqishëm po performojnë më mirë se sa pritej”, tha ajo.
Rezultati i zgjedhjeve për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat do të përcaktojnë të ardhmen e agjendës së Bidenit. Këto zgjedhje janë si referendum për administratën e tij, teksa vendi po përballet me inflacion në nivel rekord dhe ka shqetësime se çfarë drejtimi do të marrë shteti. Nëse republikanët do të merrnin kontrollin e Dhomës, me gjasë do të nisnin një sërë hetimesh ndaj Bidenit dhe familjes së tij, ndërkaq nëse republikanët do të merrnin kontrollin e Senatit, kjo do të pengonte aftësinë e presidentit që të bëjë emërime në sistemin e drejtësisë.
Inflacioni i lartë dhe të drejtat e abortit ishin ndër shqetësimet kryesore të votuesve, dhe sipas sondazheve, një në tre votues ka zgjedhur njërën prej këtyre dy temave si shqetësime kryesore. Krimi, që ka qenë në fokusin e republikanëve gjatë javëve të fundit të fushatës, po ashtu ka qenë një prej çështjeve kryesore të përmendura nga një në dhjetë votues.
Një sondazh i realizuar nga Reuters/Ipsos gjatë kësaj jave gjeti se 39 për qind e amerikanëve pajtoheshin me mënyrën se si ka punuar Biden.
Ndërkaq, sipas po të njëjtit sondazh, ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka një përqindje pothuajse të njëjtë, ku 41 për qind e respondentëve e panë atë si favorit.
Sa i përket ndihmës për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus, analistët kanë argumentuar se nëse republikanët marrin pushtetin në Kongres, ka pak gjasa që të ngadalësojnë furnizimet me armë dhe ndihmën ekonomike për Kievin.
Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numrin e njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të ulëses së nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.
Mbi 46 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, qoftë përmes postës, apo votimit në qendra të votimit. Por, zyrtarët shtetërorë zgjedhorë kanë paralajmëruar se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë. /REL/