Edhe këtë përvjetor morën rrugën për në Velani të Prishtinës.
Për Fahri Fazliun, 7 maji është një ditë e veçantë.
Kjo meqë 28 vjet me parë, axha i tij, Bahri Fazliu, ra heroikisht në kufirin mes Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi.
Për këtë, të varri i tij, as në këtë përvjetor nuk mungoi nipi, Fahriu.
Ky i fundit, lajmin për rënien e xhaxhait, e mori sa ishte në shkollë.
“Unë isha në shkollë, kur janë ardh familjarë, fqinjët kanë thënë që është një ditë e dhimbjes sot është vra mixha yt, është vra dëshmorë në kufirin trekufir. Ishte një ditë e dhimbjes pastaj vazhduam në Llaushë tek varrezat”, nipi i Bahriut, Fahri Fazliu.
Ani pse kanë kaluar 28-vjet nga ajo kohë, nipi nuk i ka harruar momentet pranë xhaxhait hero.
“Bahriu vinte herë pas here në orët e vona, vinte me shokët por edhe me dëshmorin që është Agron Rrahmani vinte na vizitonte e mbaj mend se na binte çokollata mu e motrës sime sikur sot më kujtohet. Sot është një ditë e madhe që e kujtojmë Bahriun me gjithë shokët që kanë rënë për Kosovën”.
Bahri Fazliu, përveçse pjesëtar i UCK-së, ishte edhe kryeredaktor në revistën “Çlirimi”.
Prandaj një poezi të tij, mbeti thellë në kujtesën e Fahriut.
“Edhe vdekjen do ta puth, nënë, kur lufta këtë do ta kërkojë, edhe nga varri do të ngrihem, luftën kurrë s’do ta pushoj”.
E bashkëveprimtarit, Shaban Beka, lajmi për vrasjen e Bahriut i shkoi në burgun e Mitrovicës.
“Lajmin për rënien e tij e kam marr në burg, në atë kohë kam qenë në burgun e Mitrovicës, shumë i trishtë i rëndë sepse Bahriu, ishte edhe kryetar i organizatës “ Lëvizja Kombëtarë për Çlirimin e Kosovës” në atë kohë ishim një pjesë bukur e mirë e shokëve të burgosur”, tregoi bashkëveprimtari i Bahriut, Shaban BEka.
Beka kujton vitin 1995, kur e takoi për herë të parë heroin llapjan.
“Bahriun e kam njohur në vitin 1995 në mbledhjen e parë të përgjithshme të LKÇK- së që e kemi majtë në Dobërdëlan. Kur ka ardhur Bahriu në odën ku është mbajtur takimi mu ka dok shumë i ri në fizionomi, nuk më bëri shumë përshtypje mendova mos është ndonjë pararojë i ilegalëve që i ka pruar deri në vend takim. Po kur u ulë dhe filluan diskutimet, filloi mbledhja aty më ka befasuar me vizionin e tij dhe qëndrimet e tij”.
Tek varri i heroit nga Llausha e Podujevës, të enjten në lagjen Velania në Prishtinë, homazhe bën figurat me të njohura të vendit.



