Gazetari Florent Zeqaj ka kritikuar situatën politike dhe mënyrën e menaxhimit të procesit zgjedhor në vend, duke ngritur edhe pikëpyetje për nxitimin e miratimit të projektligjeve në këtë periudhë.
Ai ka thënë se nëse projektligjet nuk kanë qenë prioritare për një periudhë të gjatë, lind pyetja pse po trajtohen tani me urgjencë, duke aluduar se zhvillimet lidhen me pritshmëritë për zgjedhje të reja.
Në deklaratën e tij, Zeqaj ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se situata aktuale politike tregon mungesë interesi për qeverisje të qëndrueshme dhe orientim drejt menaxhimit të përkohshëm institucional.
“Përderisa s’ishin kaq të rëndësishme këto ligje që një vit, çka po iu ngutet tash? Kurti e di që do të shkojë në zgjedhje. Siguria buron tek mënyra se si je i interesuar me zgjedh problemin dhe me qeveris vendin. Nuk ka fare interes për këtë Kurti. Me fjalë popullore ‘dita e mirë, shihet në mëngjes’, Kurti, mëngjesin e përfundimit të procesit zgjedhor e ka nis me mjegull. E lëshoi KQZ-në, atë dorën e tij, mashën që e ka në krye të KQZ-së dhe tha ‘shiko se ka ndodhë një hajni dhe ia vjedh do vota’. Kjo ‘hajnia’ ekziston prej që janë mbajtur zgjedhjet edhe që ekziston shteti”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka folur edhe për procesin zgjedhor dhe rolin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke ngritur akuza për parregullsi të mundshme dhe ndikime politike në administrimin e zgjedhjeve.
Sipas tij, situata aktuale krijon “mjegull politike”, ku institucionet po funksionojnë pa stabilitet të plotë, ndërsa vendimet po merren në një klimë të pasigurt.
“Prapë do të ketë vjedhje votash brenda llojit të vetë. S’mundet të ndalet hajnia brenda llojit të vetë. Kurti do mjegull, se nuk po do të qeverisë. Po do me qëndrua me ushtrues detyre. Pse? Sepse, s’po e ndal askush, po shpërndan para, po bën projektligje, po emëron ministra, zv.ministra, dikastere. Pra, po i kryen të gjitha punët si me qenë ministër me mandat të plotë”, deklaroi ai.







