Komisioni i Ankesave i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 19 mars, ka marrë vendim që të zbusë dënimin e shqiptuar ndaj FC Prishtinës pas kërkesës se klubit drejtuar këtij komisioni. Sipas vendimit të ri, dënimi prej dy ndeshjesh pa praninë e shikuesve është reduktuar në vetëm një ndeshje.
Komisioni ka theksuar se si rrethanë lehtësuese është marrë parasysh angazhimi i klubit për mbarëvajtjen dhe garantimin e sigurisë gjatë organizimit të ndeshjeve. Ky vlerësim ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin për zbutjen e masës disiplinore.
Si rezultat i këtij vendimi, ndeshja e radhës ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Ballkanit do të zhvillohet me praninë e tifozëve në stadium, duke i dhënë mundësi publikut të rikthehet dhe të mbështesë ekipet e tyre nga afër.
Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në atmosferën e ndeshjes, duke pasur parasysh rëndësinë dhe rivalitetin mes dy skuadrave në elitën e futbollit kosovar.







