Zyrtari policor Hamit Reçica ka dhënë një dëshmi të rëndësishme, në gjykimin për vrasjen e kolegut të tij, rreshterit Muhamet Lika.
Reçica zbuloi përgjimet e telefonëve dhe vëzhgimet e fshehta, që menjëherë pas vrasjes së rreshterit, iu bënë tash të akuzuarve, Haki Bela, Rejhan Bela, Diamant Gashi, Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika.
“Në këtë periudhë kohore asnjëherë të dyshuarin Rejhanin, nuk kanë arritur me lokalizu me vendndodhje dhe duke iu referuar zbatimit të masave të veçanta, konkretisht përgjimeve telefonike, është vërtetuar se Rejhani dhe Diamanti kanë qenë me një lokacion të caktuar dhe kanë komunikuar me Rilindin për të blerë ushqim”, u shpreh Hamit Reçica-dwshmitar
Sipas përgjimeve, bisedat mes të dyshuarve bëheshin kryesisht rreth strehimit dhe sigurimit të ushqimit për Rejhan Belën, që atë kohë ndodhej në arrati.
“Kur pyetën për vendndodhjen, Rilindi u përgjigjet “s’e di vlla, me një vend, me nji arë, me nji lëndinë”, vazhdon Rejhani duke qeshur dhe thotë “qashtu, me nji lendinë. Hiç, mos i kallxo kërkujna ku je”. Vazhdon Rilindi thotë “Jo bre, s’po t’kallxoj hiç.” Rejhani vazhdon “hiç mos kallxo, kurse Rilindi i thotë “me pamje kah deti”, tregoi ai.
Policia kishte dyshuar për një lokacion se ku mund të ishin strehuar të dyshuarit, por që nuk kishin arritur ta lokalizonin saktë.
“Përderisa ka qenë në arrati ne nuk e kemi ditur vendndodhjen, por këta i kanë ofru vendstrehim tek një lokacion dhe duke i ofruar vendstrehim gjithashtu janë kujdesur për t’i ofruar edhe ushqim. Na kemi dyshu se këta kanë mund të jenë më një villë në fshatin Stagovë, por nuk kemi mbërri me lokalizu” , tha Reçica.
Më pas, Rejhan Bela ishte arrestuar, dhe ndaj tij tashmë është veçuar procedura, pasi në kohën kur e kreu veprën penale ishte i mitur.
Gjykimi në këtë rast është në fazën përfundimtare.






