Rreth 95 për qind e grave dhe burrave të dhunuar seksualisht në luftë po jetojnë me pasoja të rënda shëndetësore.
Krimi që kanë përjetuar ka lënë plagë të pashlyera në shoqëri, thotë drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Ajo thekson se shërbimet shëndetësore janë të domosdoshme për këtë grup të ndjeshëm shoqëror.
Në dhjetor të vitit të kaluar u miratua Ligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili ndër të tjera mund të ofrojë edhe sigurimin shëndetësor pa asnjë kushtëzim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar në Kushtetuese 16 ligje, në mesin e tyre edhe këtë.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti thotë se një gjë e tillë nuk është mirëpritur nga gratë e burrat e dhunuar seksualisht gjatë luftës.
“Rasti i ligjit ose dërgimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës natyrisht nuk është mirëpritur nga të mbijetuarit e dhunës seksuale. Për faktin se me 10 dhjetor të vitit të kaluar jemi ulur dhe kemi bashkëbiseduar me deputetë edhe e kemi mirëpritur shumë këtë iniciativë që përfundimisht të mbijetuarit të mund të kenë shërbime shëndetësore falas, në atë mënyrë që disa nga ta të cilët edhe nuk i kanë pasur kushtet edhe mundësitë që t’i qasen institucioneve shëndetësore të arrijnë tash të përfitojnë nga këto shërbime. Shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese do ta ketë në konsideratë pasi është një grup që tashmë shoqërisht njihet që nevojat e tyre për shërbime shëndetësore janë të panumërta dhe të pa konsiderueshme”, shton Rushiti.
Të domosdoshme i konsideron Rushiti shërbimet shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale.
“Gjithësecila grua dhe burrë që ka përjetuar dhunë seksuale, pothuajse 95 për qind të tyre kanë edhe pasoja shëndetësore. Po flasim për një traumë afatgjate, e cila thellë në shpirtin e personit qoftë emocionalisht, qoftë edhe në aspektin fizik ka lënë plagë të pashlyera në shoqërinë tonë. Duke i pasur parasysh këto rrëfime që i dëgjojmë në organizatë, duke i parë edhe të mbijetuarat që kanë pasur lëndime fizike, qoftë invaliditet, qoftë plagë që kanë nevojë për trajtim, pastaj që kanë zhvilluar sëmundje psikosomatike si rezultat i traumës së marrë gjatë luftës, normalisht që shërbimet shëndetësore janë më së të domosdoshme për këtë grup të ndjeshëm shoqëror”, deklaron ajo.
Në një deklaratë me shkrim, Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se edhe në raportin lidhur me respektimin e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale ka rekomanduar që kjo kategori të gëzojë të drejtat.
“Avokati i popullit në këtë raport ka konstatuar se me kornizën ligjore aktuale në fuqi nuk parashihet ofrimi i shërbimeve psiko-sociale për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, po ashtu nuk ofrohen shërbime shëndetësore pa kompensim në nivelin primar sekondar dhe terciar në institucione publike shëndetësore për këtë kategori të qytetarëve, prandaj ka rekomanduar Qeverinë në ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të plotësim-ndryshimit të Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, në mënyrë që këto të drejta të garantohen edhe për të mbijetuarat/it”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Në një përgjigje të Gjykatës Kushtetuese për KosovaPress bëhet e ditur se ky ligj është në procedurë të shqyrtimit.
“Ligji Nr. 08/L-320 për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor është pranuar në Gjykatën Kushtetuese më 13 dhjetor 2024 dhe është regjistruar me numër të rastit KO254/24. Aktualisht, kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit dhe sapo të merret vendimi Gjykata do të njoftojë me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinionin”, thuhet në këtë përgjigje.
Edhe aktivistja nga organizata joqeveritare “Fourth Wave”, Nerimane Ferizi e konsideron urgjente nevojën për përkrahje të kësaj kategorie të luftës.
“Nevojën për përkrahje këto gra e kanë urgjente. Ne e dimë që deri vonë këto gra nuk kanë dalë në publik, ne e dimë mënyrën qysh janë gjykuar, ne e dimë edhe në Parlamentin e Kosovës që nuk kanë dashur ta votojnë ligjin për këto gra. Edhe e dimë situatën në të cilën janë dhe normalisht që nuk do të duhej të kishte kaq shumë procedura për gratë në Kosovë, sepse duke marrë parasysh mentalitetin dhe mendësinë në të cilin jetojmë, nuk ka asnjë grua që me vet dëshirë shkon aty dhe gënjen e thotë që ‘unë jam pjesë e grave të dhunuara gjatë luftës’. Nuk do të ishte dashur që të ketë fare procedura”, përfundon ajo.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.
Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm mbi 2 mijë e kanë marrë atë./KP