“I kam parë eshtrat e mijë dhëmbët e thyer, ato eshtrat e thyera krejt”
Përjetimet që pati gjatë luftës ende s’i ka harruar.
Në vijën e parë të frontit 28 vjet më parë, Nexhat Cikaqi nga Dobërdelani i Suharekës nuk shpëtoi pa plagë.
Cakiqi ishte pjesë e Brigadës 123 e cila operonte në zonën e Pashtrikut.
Pavarësisht dhimbjeve, plagët e para që mori, thotë se për të, ishin përjetim unik.
“Unë e kam pasur fatin që plagët e para t’i marr me datën 19.08 të ’98-ës. Do të thotë, jam plagosur në fytyrë…Më kujtohet gjatë qëndrimit në spital në Breshanc, kur janë ardhë me më vizitu, më kujtohet një rast vizitën që kam pasur nga Musa Jashari. Kur ka hy në derë, mu ka drejtu ‘Urime plagët e lirisë’. Ka qenë një ndjenjë diçka shumë e veçantë për mua”, tregon ai.
Rruga deri te ndihma e parë ishte e gjatë dhe e rrezikshme.
“Pas operacioneve që i kemi bërë në kushtet e malit në Breshanc, nuk ka pasur mjete. Më kujtohet kur më kanë bartur shokët prej pozicioneve, deri te ndihma e parë ku më është dhënë, gati 1 kilometër e diçka që kemi udhëtuar në këmbë, gjatë derdhjes së madhe sa për pak sa që është futur në frymëmarrje brenda. Ka qenë diçka shumë e rëndë, më kujtohet”.
Ajo çfarë i jepte forcë asokohe të vazhdonte, ishin telefonatat me radiolidhje.
“Unë e kisha një radiolidhje me vete edhe i dëgjoja shokët në radiolidhje. Më patën kapur ato emocionet, më kish zgjuar forca për me vazhdu edhe jam ngritur në këmbë”, thotë ai.
Kthjellët i kujtohen edhe momentet kur kishte humbur shokët gjatë luftimeve.
“Ofensiva e gushtit të ’98-ës ka qenë një ofensivë shumë e rëndë për neve. Kemi humbur shokë, ata që sot janë dëshmorë, njerëzit më të mirë të luftës, luftëtarët më të fortë. Mirëpo gjaku i tyre i dëshmorëve neve na ka dhënë forcë, edhe e kemi mbledhur veten për me gjet forcën që me vazhduar deri në çlirimin e Kosovës”.
Zona Operative e Pashtrikut shtrihej nga pjesa qendrore deri në jug të Kosovës. Në territorin e ZOP, operuan gjithsej 5 brigada.






