Profesori Emrush Thaçi, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka komentuar interpretimin e këngës nacionaliste serbe për Kosovën në Bruksel, gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 15 nëntor 2026.
Thaçi e ka cilësuar këtë rast si skandal në Komisionin Evropian, duke kritikuar arsyetimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila kishte shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës dhe kishte theksuar se grupi interpretues ishte slloven.
Sipas profesorit, ky nuk është veprimi i parë i Marta Kos që, sipas tij, është në kundërshtim me interesat e Kosovës. Ai ka vlerësuar se interpretimi i një kënge të tillë në një aktivitet të organizuar në kuadër të institucioneve evropiane nuk mund të trajtohet si një rast i zakonshëm, pasi ngjarjet e tilla, sipas tij, zhvillohen përmes protokolleve dhe organizimit institucional.
“Realisht, ky nuk është veprimi i parë i komisioneres për Zgjerim, Marta Kos. Ajo ka pasur edhe disa veprime paraprake në raport me Kosovën, por ky rast ka qenë një skandal në Komisionin Evropian. Edhe arsyetimi që u dha më pas, sipas meje, ishte banal, kur thuhet se grupi ishte slloven. Në Komisionin Evropian dhe në Parlamentin Evropian asgjë nuk ndodh pa protokoll. Asnjë aktivitet nuk organizohet pa procedura dhe përgjegjësi institucionale.
Po të ndodhte interpretimi i një kënge të tillë në ndonjë aheng apo aktivitet tjetër në një shtet, do të ishte një çështje tjetër, sepse ne i dimë arsyet dhe qëndrimet nacionaliste serbe në raport me Kosovën. Por, kur kjo ndodh në një aktivitet të organizuar në kuadër të institucioneve evropiane, atëherë lindin dyshime se mund të ketë edhe qëllime të caktuara”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka kritikuar gjithashtu diplomacinë e Kosovës, duke vlerësuar se mungesa e një diplomacie më të fuqishme dhe më aktive në raport me Bashkimin Evropian po krijon hapësirë për veprime të tilla.
Sipas tij, Kosova aktualisht ndodhet në një pozitë të pafavorshme politike në raport me institucionet evropiane dhe kjo, sipas profesorit, po reflektohet edhe në mënyrën se si trajtohen interesat e vendit në arenën ndërkombëtare.
Thaçi ka ngritur edhe çështjen e së kaluarës së komisioneres Marta Kos, duke iu referuar akuzave të bëra nga kryeministri slloven për lidhje të pretenduara të saj me ish-shërbimin sekret jugosllav, UDB-në. Ai ka thënë se këto pretendime, sipas tij, duhet të shihen edhe në kontekstin e veprimeve dhe qëndrimeve të saj ndaj Kosovës.
“Ju e dini se Marta Kos është akuzuar edhe nga kryeministri i shtetit prej nga vjen për bashkëpunim të pretenduar me ish-UDB-në, në kohën e ish-Jugosllavisë. Normalisht, këto janë pretendime që duhen trajtuar me kujdes, por kur i shohim veprimet e saj dhe qëndrimet në raport me Kosovën, krijohet përshtypja se politika e saj nuk është në favor të Kosovës. Aktualisht, duket se Kosova po goditet edhe në këtë aspekt”, ka thënë ai.
Në fund, profesori ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të kenë një qasje më të koordinuar, më të fuqishme dhe më pragmatike në raport me Bashkimin Evropian, duke kërkuar reagim më të drejtpërdrejtë ndaj zhvillimeve që prekin interesat e vendit.
“Politika kosovare duhet të jetë më e matur, më politike dhe më pragmatike. Duhet të ketë një strategji më të qartë dhe të jetë më e përgatitur për të reaguar. Nuk mjafton vetëm të shprehet pakënaqësia, por duhet të ketë veprime konkrete dhe diplomaci aktive për t’i mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Thaçi.









