Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar për një nismë të re që synon përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka bërë të ditur se ka mbështetur krijimin e shtatë pozitave të asistentit administrativ në Komunën e Obiliqit, të dedikuara për këtë kategori të qytetarëve.
Sipas tij, kjo nismë ka për qëllim krijimin e mundësive të barabarta për punësim, angazhim dhe zhvillim të aftësive të personave me aftësi të kufizuara.
Thaçi ka theksuar se përmes këtyre pozitave synohet t’u jepet më shumë hapësirë aftësive dhe potencialit të qytetarëve që përballen me vështirësi në punësim.
Ai ka bërë të ditur se Komuna e Obiliqit do të vazhdojë të krijojë mundësi konkrete për të gjithë qytetarët, duke theksuar se zhvillimi i komunës duhet të jetë gjithëpërfshirës.







