Pas tetë vitesh në pozitën e Drejtorit Rajonal të Policisë në Gjakovë, me vendim të menaxhmentit të Policisë së Kosovës, Lumni Graishta është emëruar në pozitën e Këshilltarit të Drejtorit Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Me këtë rast, ai ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë kolegët me të cilët ka bashkëpunuar gjatë këtyre tetë viteve, duke vlerësuar lart angazhimin, profesionalizmin dhe të arriturat e përbashkëta.
“Në një organizatë me mbi 10.000 punonjës siç është Policia e Kosovës lëvizja e personelit është proces i vazhdueshëm e i përhershëm. Nevojat operative të organizatës për çdo ditë diktojnë domosdoshmërinë e ndryshimeve në strukturën organizative, atë operative dhe funksionale në të gjitha nivelet,duke mos përjashtuar edhe çështjet menaxheriale. Shumica e eprorëve (përfshirë edhe mua) janë pothuajse në përfundim të mandatit të dytë (gati 8 vite e disa madje edhe më shumë). Jo vetëm për shkak të situatës së krijuar ditëve të fundit por edhe në rrethana normale, një rotacion eventual do të duhej të ndodhte nëse jo më heret, pikërisht tani”, shkruan Graishta.
Ai i ka zbuluar edhe arsyet ndërrimit të pozitës.
“Ka dy arsye thelbësore për risistemim të stafit komandues dhe atë: E para: pas një periudhe 7-8 vjeçare në të njëjtin pozicion është e pamundur të mos familjarizohesh me personelin, rrethin dhe ambientin ku punon dhe, E dyta:pas përafrimit (familjarizimit) me të lartpërmendurit, me ose pa dashje, me ose pa vetëdije, shpeshherë kufizohesh në vendimmarrje, e krejt kjo frenon në masë të madhe funksionimin normal të organizatës/institucionit. Dhe në fund, risistemimi ose eventualisht një rotacion i tillë duhet t’i shërbej operacionalitetit dhe funksionalitetit më të mirë të organizatës, kuptohet, duke marrë në konsideratë performancën, gatishmërinë, aftësitë dhe shkathtësitë e kërkuara dhe të identifikuara nga gjithësecili punonjës”, shkruan Lumni Graishta.




