Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan të enjten një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rifilluar procesin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
Takimi pasoi dy ditë negociatash të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, ku për herë të parë pas nëntë muajsh u zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas.
Negociatat përfunduan të mërkurën me një marrëveshje për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, ndërsa numri i saktë i tyre mbetet për t’u përcaktuar.
Megjithatë, nuk pati përparim konkret drejt përfundimit të luftës, e cila nisi në shkallë të gjerë më 24 shkurt 2022.
Sipas Kushnerit, një nga synimet e takimit me Putinin ishte të sigurohej mbështetja e tij për përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në negociata, të cilat përfshijnë edhe çështjet më të gjera të sigurisë në kontinent.
SHBA-ja dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkojnë që Evropa të caktojë një përfaqësues të vetëm për negociatat me Moskën.
Rusia kundërshton përfshirjen e vendeve evropiane në bisedimet e drejtpërdrejta, duke i akuzuar ato se financojnë dhe furnizojnë Ukrainën me armë, duke penguar kështu arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, shumë vende evropiane e shohin përfshirjen e Rusisë në diskutimet për sigurinë e kontinentit si një lëshim ndaj Putinit.
Moska e konsideron zgjerimin drejt lindjes të NATO-s një kërcënim për sigurinë e saj dhe kërkon tërheqjen e trupave të aleancës nga kufijtë rusë.









