Gjykata Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj një personi me inicialet A.P., i akuzuar për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.
I akuzuari është shpallur fajtor nga gjyqtari Samedin Cena dhe është dënuar me gjashtë vjet burgim, si dhe me 3 mijë euro gjobë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ai akuzohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në lokacione të tjera, ka trafikuar një grua nga Prishtina me qëllim të shfrytëzimit për përfitim.
Sipas aktakuzës, kontakti fillestar ndërmjet të akuzuarit dhe viktimës ishte krijuar përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas ata ishin takuar në lokalin e tij në Deçan.
Pas këtij takimi, i akuzuari e kishte sjellë gruan për të punuar në lokalin e tij në Gjakovë. Më vonë, ai e kishte dërguar atë për punë edhe në lokale me muzikë live në Pejë, në fshatin Volljak të Klinës dhe përsëri në Gjakovë.
Gjykata ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna i merrte i akuzuari.
Po ashtu, sipas përshkrimit të rastit, kur të ardhurat nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, viktima detyrohej t’ia mbulonte të akuzuarit edhe obligimet e tij financiare, përfshirë qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet mujore të kredisë.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se trafikimi ishte kryer përmes kanosjes, përdorimit të forcës, punës së detyruar dhe formave të tjera të dhunës e kontrollit, të shoqëruara me maltretim fizik dhe psikik.
Sa i përket dënimit me gjobë, Gjykata ka bërë të ditur se pagesa prej 3 mijë eurosh duhet të ekzekutohet brenda 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.








