Ministria e Zhvillimit Rajonal në Kosovë gjatë ditës së sotme ka organizuar një konferencë me thirrjen “Të bëhemi kreativ për zhvillimin rajonal”. Ministri Fikrim Damka u shpreh se deri më tani janë investuar afër 12 milionë euro nëpër komuna dhe biznese. I gjitha ky program u bë në partneritet me UN-Habitat Kosova në mbështetje nga Qeveria e Suedisë, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori suedez.
“Të bëhemi kreativ për zhvillimin rajonal”.
Ishte kjo thirrja në konferencën e së martës të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në partneritet me UN-Habitat Kosova dhe mbështetur nga Qeveria e Suedisë.
E ministri Fikrim Damka u shpreh se qëllimi i dikasterit që ai udhëheq ka qenë krijimi i programeve në mbështetje të projekteve komunale dhe në zhvillimin e bizneseve.
“Ne si ministri prej viteve të themelimit kemi pasur disa programe, dy programet kryesore kanë qenë që të mbështesim komunat në dy aspekte, për të investuar në projektet me ideja të mira të cilat vinë prej komunave edhe e dyta të investojmë për të zhvilluar bizneset në ato komuna në të cilat janë më pak të zhvilluara”, tha ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Sipas ministrit, deri më tani janë investuar afër 12 milionë euro nëpër komuna dhe në biznese.
Në organizimin e disa punëtorive, ministria ka pasur mbështetjen e qeverisë suedeze.
Ambasadori Suedez, Jonas Ëesterlund u shpreh i lumtur për bashkëpunim.
Sipas tij ka pasur përkushtim të mirë edhe nga qeveritë e kaluara për t’u përqendruar në zhvillimin rural.
“Mendoj që mund të jeni më shumë kreativ kur jemi te bashkëpunimi ndërkufitar rajonal, me disa komuna në jugperëndim të Kosovës mund të bashkëpunojnë me komuna në Shqipërinë veriore. Mendoj që kjo do të ishte e dobishme. Fuqia e qyteteve dhe rajoneve, është një mundësi, por është edhe një sfidë, edhe atë është një sfidë demokratike. Keni shumë pasuri të përqendruar në qytete, prandaj është e rëndësishme të përqendrohemi në zonat rurale”, ka deklaruar Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë.
Ndërsa nga UN-Habitat u shprehën se përkrahja nga Suedia ka qenë e domosdoshme për shtyrjen para të këtij misioni.
“Gjithashtu përkrahja që kemi marr nga Qeveria e Suedisë, nga ambasada këtu dhe nga agjencia për zhvillim, ka qenë e domosdoshme për UN Habitat, për misionin tonë në këtë vend, në Kosovë. Jo vetëm për këtë event, por përgjatë gjithë punës dhe veprimtarisë tonë, gjatë viteve të fundit, kjo ka qenë shumë e rëndësishme, ky përkushtim që i ka mundësuar UN Habitat të shtyjë para agjendën për zhvillim urban të qëndrueshëm në Kosovë, dhe për të arritur transformim pozitiv, anembanë këtij rajoni”, është shprehur Erfan Ali – Drejtor Divizioni i Programit Rajonal – UN-Habitat
I gjithë ky program përqendrohet në parime që ndërlidhen me rregullimin e vendit, zhvillimin e fuqisë punëtore, qëndrueshmërinë dhe inovacionin.