Profesori Sylë Ukshini ka folur për hapat që, sipas tij, duhet të ndërmarrë Kosova pas aktgjykimit dhe vendimeve të fundit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Ukshini ka vlerësuar se në këtë proces rol të rëndësishëm duhet të ketë partia kryesore opozitare, ndërsa ka theksuar nevojën që udhëheqja e ardhshme e vendit të ketë një qëndrim më të qartë dhe më të orientuar politik.
Sipas tij, çështja nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të kritikave ndaj Qeverisë, por duhet të shndërrohet në një angazhim më të gjerë politik dhe institucional.
“Unë mendoj se lideri i ardhshëm, sepse shumë lehtë mund ta drejtojmë gishtin nga Qeveria, por mendoj se motori i këtij procesi duhet të jetë partia kryesore opozitare, liderët e së cilës janë dënuar. Mendoj se lideri i ardhshëm, kurdo që të zgjidhet, duhet të ketë një pozicion më të qartë dhe më të orientuar. Nuk funksionon më me parulla”, ka deklaruar Ukshini.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj disa prej dispozitave që lidhen me pozitën e komunitetit serb dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Ukshini ka vlerësuar se Kosovës i duhet një qasje më e vendosur në raport me këto çështje dhe se, sipas tij, duhet të rishikohen politikat dhe marrëveshjet që ai i konsideron si privilegje të tepruara për Serbinë.
Në këtë kontekst, profesori ka përmendur edhe nevojën për një debat parlamentar lidhur me marrëveshjet e arritura, duke theksuar se institucionet e Kosovës duhet të kenë një qëndrim më të qartë në raport me Bashkimin Evropian.
“Nëse PDK-ja kanë këllqe edhe kanë guxim, është dashur të merret marrëveshja e 2013-të, të kërkohet në Parlament dhe të kërkohet që të anuloj. Edhe me BE-në nuk duhet të sillemi më ashtu siç jemi sjellë deri tash”, ka thënë Ukshini.
Në përfundim, deklaratat e tij në “Info Nata” u fokusuan në nevojën për një orientim të ri politik dhe institucional të Kosovës, me theks të veçantë në raportet me Serbinë, dialogun dhe qëndrimin që vendi duhet të mbajë pas zhvillimeve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.




