Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar të mërkurën një takim me Gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë mandatit të tij të dytë si Komandant i KFOR-it në Kosovë.
Përmes një njoftimi, Sveçla tha se gjatë takimit është vlerësuar bashkërisht bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa është theksuar rëndësia e vazhdimit dhe forcimit të këtij angazhimi në funksion të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në vend.
“Gjatë takimit tonë, vlerësuam bashkërisht rezultatet e këtij partneriteti dhe theksuam rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të angazhimit të përbashkët ndërmjet institucioneve tona, në interes të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme e ka falënderuar Gjeneralmajorin Ulutaş për përkushtimin, punën dhe kontributin e tij gjatë mandatit në krye të KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet e Kosovës./teve1.info/







