Dyshja Alexander Isak dhe Viktor Gyokeres pritet ti prijnë sulmit të Suedisë në ndeshjen kundër Kombëtares së Kosovës.
Si Isak ashtu edhe Gyokeres, janë përfshirë në listën prej 24 futbollistëve që do të jenë pjesë e grumbullimit të shtatorit.
Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson të mërkurën ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet kualifikuese të muajit të ardhshëm në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Suedia në shtator luan dy ndeshje në kuadër të Grupit B, dhe të dyja i ka në udhëtim, me Slloveninë dhe Kosovën.
Fillimisht, do të përballet me Slloveninë më datën 5 shtator kurse tri ditë më vonë do të luajë kundër Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në listën e publikuar të mërkurën, mungon Besfort Zeneli, vëllai i Arbër Zenelit, i cili kishte lënë Kosovën për Suedinë.