Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur edhe të enjten ftesën për dialog me studentët protestues, të cilët vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihet tryeza e gurtë e vendosur përpara Kryeministrisë, mbi të cilën ndodhen letra me mbishkrimin “Dialog”.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të kryeministrit, studentët kanë refuzuar të ulen në bisedime, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre kryesore mbetet largimi i tij nga detyra.
Rama ka deklaruar më herët se është i gatshëm të diskutojë me studentët për shqetësimet dhe kërkesat e tyre, por ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes si rezultat i protestave.
Ndërkohë, protestuesit kanë ndryshuar strategjinë e organizimit, duke paralajmëruar tubime kombëtare 2 herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë.
Protesta e radhës është paralajmëruar për 7 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Studentët akuzojnë qeverinë se nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre, ndërsa Rama vazhdon të insistojë në dialog si rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.







