Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së thotë se para procedimit në Kuvend do të zhvillojë konsultime me liderët politikë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se janë siguruar nënshkrimet për iniciativën e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, ndërsa drafti i ligjit tashmë është përfunduar.
Në një deklarim për media, Çitaku ka theksuar se para se iniciativa të procedohet në Kuvendin e Kosovës, do të zhvillohen konsultime me drejtuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvend.
Sipas saj, synimi është që nisma e re ligjore të marrë mbështetje të gjerë politike, të ngjashme me atë që kishte marrë ligji paraprak.
“Ne nënshkrimet veç i kemi mbledhur për nismën e re ligjore. Drafti i ligjit është gati, po për ne ky proces nuk është thjesht formalitet. Siç e thashë, është shumë e rëndësishme që të konsultohemi, të flasim edhe me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Disa i kam takuar tashmë, disa do t’i takoj nesër gjatë ditës, disa të tjerë sot më vonë. Është e rëndësishme që ky ligj, kur të vijë në Kuvend, të marrë po të njëjtën mbështetje të fuqishme që e ka marrë ligji paraprak”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se për këtë iniciativë ka informuar edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilin është takuar së fundmi.
Çitaku ka njoftuar se gjatë ditës do t’i drejtohet zyrtarisht BE-së përmes një shkrese, duke përsëritur ftesën që përfaqësuesit e këtij institucioni të marrin pjesë në konsultimet për nismën e re.
“Jam takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian, janë të njoftuar për nismën e re ligjore. Do t’ju drejtohemi sot edhe me shkrim zyrtarisht, ne i ftojmë sërish që të vijnë në konsultime”, ka thënë ajo.
Duke folur për përmbajtjen e iniciativës, Çitaku ka mohuar se qëllimi i saj është mbyllja e Dhomave të Specializuara apo pengimi i procesit gjyqësor në Hagë.
Ajo ka theksuar se ndryshimet e propozuara synojnë garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor dhe respektimin e standardeve evropiane të drejtësisë.
“Nuk po synojmë që përmes nismës së re ligjore as ta mbyllim gjykatën e as ta minojmë procesin atje. Për ne është e rëndësishme që përmes ndryshimeve që do të bëhen në ligj, të garantohet një proces i drejtë dhe të respektohen vetë standardet evropiane për një proces gjyqësor”, ka deklaruar Çitaku.









