Profesori Nexhmedin Spahiu ka komentuar iniciativën për hartimin dhe prezantimin e një ligji të ri për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Duke folur në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu ka vlerësuar se protestat dhe përpjekjet për miratimin e një ligji të tillë nuk janë domosdoshmërisht në interesin e personave që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Sipas tij, duhet kuptuar se procesi në Hagë është një proces gjyqësor me dimension politik dhe se reagimet e shumta publike mund të ndikojnë negativisht në mënyrën se si trajtohet çështja.
“Unë mendoj se në interesin e atyre që janë në Hagë nuk është që të bëhet çfarëdo ligji apo të ketë çfarëdo tentative për të sjellë një ligj ose për të organizuar protesta. Duhet të kuptohet se ky është një gjyq politik dhe sa më shumë që kërkojmë, aq më keq mund të bëhet për ata në Hagë. Nëse këtë nuk e kemi kuptuar deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, është dashur ta kuptojmë më herët”, ka deklaruar Spahiu.
Ai ka pretenduar se protestat e organizuara në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup kanë ndikuar në zgjatjen e procesit gjyqësor, duke theksuar se, sipas tij, sa më shumë pjesëmarrës dhe organizatorë të jenë përfshirë në këto aktivitete, aq më shumë është shtyrë procesi.
Spahiu ka thënë se, nëse synohet të ndihmohen ish-krerët e UÇK-së, fokusi duhet të jetë te përgatitja e një mbrojtjeje sa më të mirë juridike, dhe jo te organizimi i protestave apo iniciativave të tjera politike.
Në pjesën tjetër të diskutimit, profesori ka komentuar edhe raportimet për bashkëpunimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me nismën për ligjin e ri.
Ai ka vlerësuar se Kurti, përmes kësaj nisme, po rrezikon të përballet edhe vetë me pasoja juridike, nëse veprimi interpretohet si ndërhyrje në drejtësi. Megjithatë, sipas Spahiut, kjo lëvizje mund të ketë edhe një prapavijë politike, duke e vendosur PDK-në në një pozitë më të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kurti po rrezikon edhe vetë me këtë veprim, sepse mund t’i interpretohet si pengim i drejtësisë. Por politikisht, ai faktikisht po e fut PDK-në në sqetull, sepse e di që sa më shumë që bëhen veprime të tilla, aq më shumë u rëndohet situata atyre atje. Ai po përpiqet, duke i marrë me të mirë, dhe duke parë se PDK-ja ka mbetur pa lider, ta fusë në sqetull dhe ta bëjë PDK-në degë të VV-së”, ka thënë Spahiu.




