Dardan Krasniqi nga Aleanca ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se kjo parti ka gabuar që figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi e ka reduktuar vetëm në atë të një lideri politik.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Krasniqi ka vlerësuar se Thaçi, për shkak të rolit të tij në proceset e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës, nuk është dashur të trajtohet vetëm në kontekstin partiak.
“PDK-ja, njeriun që ka rrugëtuar në të gjitha proceset e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë, president e gjithçka, e ka reduktuar në lider politik. Nuk është dashur PDK-ja që figurën e Thaçit ta reduktojë në lider politik, pra as protestën ‘Liria ka Emër’ ta reduktojë në një fushatë kur ti del dhe kërkon vota. Kjo nuk i falet PDK-së”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka folur edhe për raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar, duke shprehur shqetësimin për përplasjet që mund të ndikojnë në pozitën ndërkombëtare të vendit.
Sipas tij, klasa politike është dashur ta analizojë më me kujdes edhe çështjen e ligjit, në mënyrë që të shmangen përplasjet që Kosova, sipas tij, nuk ka kapacitet t’i përballojë në rrethanat aktuale.
“Përtej saj që Kosova ka mjaft përplasje me faktorin ndërkombëtar, është dashur që të analizohet mirë edhe çështja e ligjit, të mos hyjmë në përplasje, sepse përplasjet ne nuk mund t’i përballojmë. Llogaritni në çfarë situate është Serbia tash”, ka thënë ai.
Krasniqi ka përmendur edhe zhvillimet në raportet e Serbisë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar tri kërkesave që, sipas tij, SHBA-ja ia ka adresuar Serbisë: arrestimin e Milan Radoiçiqit, vënien para drejtësisë të vrasësve të vëllezërve Bytyçi dhe personave përgjegjës për sulmin ndaj ambasadës amerikane në vitin 2008.
Sipas Krasniqit, Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë me partnerët dhe aleatët e Kosovës, ndërsa ka theksuar se këto çështje duhet të merren parasysh nga Kosova.
“Serbia po afrohet çdo ditë e më tepër me partnerët dhe aleatët tanë, siç janë SHBA-ja. Serbia i ka nga SHBA-ja të konfirmuara tri kërkesa: Radoiçiqin me e arrestu, vrasësit e vëllezërve Bytyçi me dalë para drejtësisë dhe ata që e kanë sulmuar ambasadën në vitin 2008 me dalë para drejtësisë. Për këtë, klasa e re politike duhet ta kuptojë se qëndrimet politike nuk mund të ndryshohen vetëm në raport me Kosovën, por duhet të përmbushen edhe këto kërkesa”, ka deklaruar Krasniqi./teve1.info/








