Analisti politik, Xhavit Drenori, ka vlerësuar se partitë opozitare në Kosovë po përballen me një krizë të besimit dhe kredibilitetit te qytetarët, duke theksuar se para se të ofrojnë një alternativë përballë Lëvizjes Vetëvendosje, ato duhet të reflektojnë mbi gjendjen e tyre të brendshme.
Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Drenori ka thënë se pakënaqësitë e qytetarëve ndaj opozitës kanë kaluar në nivel revolte, ndërsa partitë opozitare duhet të kuptojnë se në çfarë drejtimi po ecin.
Sipas tij, problemi kryesor i opozitës nuk qëndron vetëm te mungesa e një alternative politike, por te humbja e besimit të qytetarëve, përfshirë edhe një pjesë të anëtarësisë dhe votuesve të vet.
“Unë mendoj se ato duhet të dinë edhe të reflektojnë dhe të dinë se cili drejtim po marrin, sepse të gjitha ato shprehje të pakënaqësisë deri në revoltë, për të provuar të bëjnë ndryshime, gjithmonë sjellin një pyetje nga qytetarët: A e kanë humbur këta besimin? Kur humb kredibilitetin, duhet së pari ta rikthesh atë, në mënyrë që dikush të të besojë. Këtyre dy subjekteve të mëdha opozitare nuk po u besojnë më qytetarët. Madje, kur them qytetarët, e kam fjalën edhe për anëtarët dhe votuesit e tyre, të cilët janë të paktë ata që ende u besojnë. Në këtë mënyrë, nuk mund të mobilizohen për t’i bërë ballë Albin Kurtit ose një qeverie të tij”, ka deklaruar Drenori.
Ai ka theksuar se brenda opozitës ka individë të përgatitur dhe me kapacitete për të marrë vendime të mira, por problemi qëndron te mungesa e bashkimit dhe e një strukture të përbashkët politike që do të mund të fitonte besimin e qytetarëve.
“Brenda opozitës, unë mendoj se ka njerëz të formuar që mund të marrin vendime të mira, por kur ata nuk mund të bëjnë një trup të përbashkët, qytetarët nuk u besojnë. Dhe besimi është problemi më i madh i opozitës. Para se të ecin tutje, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të reflektuar dhe për ta rikthyer kredibilitetin te qytetarët”, ka thënë më tej Drenori.
Sipas analistit, rikthimi i besimit publik dhe ndërtimi i një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërmjet subjekteve opozitare janë parakushte të rëndësishme për krijimin e një alternative të besueshme politike përballë LVV-së.









