Është kryeqendra evropiane.
E në Bruksel, të dielën ishin udhëheqësit me të lartë politikë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.
Kur të gjithë zunë vendin, nisi edhe koncerti hapës i “Forumit për Zgjerim”.
E kur askush nuk e priste, filluan tingujt e parë të këngës nacionaliste serbe, e njohur si “Oj Kosovo, Kosovo”.
Në vendin ku do të duhej të përcillej mesazhi i unitetit evropian, u lejua interpretimi i një kënge serbe me pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
Për këtë, i menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve në Kosovë.
Lidhur me këtë skandal, reagoi ashpër edhe raportuesi në Parlamentin Evropian për Kosovën, Riho Teras.
“Qoftë provokim i qëllimshëm apo injorancë e pastër. Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe, që pretendon të drejta mbi Kosovën, në një aktivitet të BE-së për zgjerimin, është një gabim jashtëzakonisht i pamatur dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim!”, ka thënë Terras.
E pas kësaj, reagoi edhe vet nikoqirja, Marta Kos.
Kjo e fundit, në vend se ta merrte përgjegjësinë për skandalin, ajo fajin e hodhi tek muzikantët.
“Më vjen keq për zgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Ajo prek ndjenjat sensitive, posaçërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë që vijnë nga kjo pjesë po ashtu. Unë dua të nënvizoj se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk reflekton pozitën e Komisionit Evropian apo pozicionin tim lidhur me historinë e Kosovës”, u shpreh Kos.
E kjo keqardhje e Marta Kosit, nuk po shihet si e mjaftueshme në Kosovë.
“Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale. Keqardhja e komisioneres Marta Kos është e nevojshme, por nuk mjafton. Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje”, ka thënë Çitaku.
“BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë Qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët”, u shpreh Gjini.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në panelin “Arritjet e zgjerimit, reforma, investime dhe rritje”, në kuadër të Forumit të Zgjerimit tha se kjo ngjarje nuk prek vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por lidhet edhe me nevojën për të mos lejuar rikthimin e retorikave dhe përplasjeve të së kaluarës.






