Lindi e u rrit si besimtar mysliman.
Por, tek ne moshën 56 vjeçare, dikush e paraqiti në internet duke u pagëzuar në besimin e krishterë.
E për këtë, i menjëhershëm ishte reagimi i familjes Musa nga Vushtrria.
Këta e mohuan kategorikisht pagëzimin e familjarit të tyre, ndërsa shtuan se fotografia u krijua me Inteligjencë Artificiale.
Përgjegjës për këtë sipas tyre, janë lëvizjet e fundit, të cilat u vunë nën llupen e prokurorisë për nxitje të urrejtjes.
“DENONCIM. Ky në foto është babai im, dhe nuk është konvertuar por është mysliman. Kjo lëvizje i ka tejkaluar të gjithë kufijtë duke keqpërdor edhe fotografitë me AI! E kemi denoncuar rastin edhe në polici!”, ka qenw reagimi i Murat Musës.
Familja Musa të mërkurën nuk u ndal me kaq.
Këta kontaktuan edhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Vushtrri, duke ua konfirmuar besimin e tyre.
“Me kërkesë të Murat MUSA, bashkëqytetar yni, për të dalë me një deklaratë që konfirmon përkatësinë islame të familjes së tij, ne, Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri, bazuar në deklarimet personale të familjes Musa, përkatësisht të familjarit të tyre Murat MUSA, dëshmojmë se kjo familje janë myslimane dhe se vazhdojnë që për çdo çështje fetare t’i drejtohen institucionit përfaqësues, pra Këshillit të Bashkësisë islame në Vushtrri. Edhe ne i bashkëngjitmi reagimit të familjes Musa kundër keqpërdorimit të imazheve të prindit të tyre kinse është konvertuar gjë që ata e mohojnë kategorikisht duke bërë madje edhe denoncim në polici”, thuhet nga KBI në Vushtrri, raporton Tëvë1.
Për këtë rast, Tëvë1 ka pyetur edhe në Policinë e Kosovës.
Këta të fundit e kanë konfirmuar denoncimin nga familja Musa, por thonë se deri me tani nuk kanë gjetur elemente të veprës penale.
Ndërkohë, sipas profesorit universitar, Alban Zeneli, dezinformimi mori hov në rrjetet sociale me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.
“Kjo për faktin që munden me u gjenerua fotografi që nuk kanë ekzistuar kurrë e jo vetëm me u manipulua disa që kanë qenë më herët. Është jashtëzakonisht e vështirë me i dallua sot, përkundër që ka programe teknologjike që ndihmojnë në identifikimin e tyre”, thotw Zeneli.
Ndryshe në vitin 2023, Prokuroria Themelore e Pejës inicioi hetimet për lëvizjen anti-islame të themeluar në Deçan.



