Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyer gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së, Luan Latifi.
Kjo shtyerje erdhi si kërkesë e prokurores, e cila ishte në zëvendësim të prokurores së rastit, e cila është në pushim mjekësor.
“Kërkoj që kjo seancë të shtyhet pasi lëndën e kam marrë dje, dhe nuk kam pasur mundësi të përgatitem”, deklaroi prokurorja e shtetit, Merita Lumezi.
Këtë e aprovoi trupi gjykues, përcjell Tëvë 1
Ndërkaq, mbrojtja e të akuzuarit Luan Latifi, propozoi që të dëgjohen dy dëshmitarë të tjerë.
“Kemi propozim të ftojmë si dëshmitarë Agron Bucolli dhe Arsim Demiri. Pasi që Elhami Haziri, ka deklaruar se nuk e njeh Luanin dhe se nuk është takuar më herët me të. Këta dy persona do të dëshmojnë që ata njihen prej shumë kohë më parë. Ndërkohë, mbetemi në propozimin që si dëshmitar të ftohet edhe Arben Bilalli”, theksoi avokati i Luan Latifit, Driton Musliu.
Këtë propozim e kundërshtoi mbrojtja e pronarëve të kompanisë “Telkos”, duke i cilësuar si jorelevante.
“Ne kundërshtojmë propozimin e përfaqësuesit të të akuzuarit për dëgjimin e dëshmitarëve, pasi i cilësojmë si jo relevante, pasi nuk e kemi si objekt shqyrtimi se a njihen Luan Latifi me Elhami Hazirin, dhe se Elhamiu nuk e ka thënë që nuk njihet me Luanin, por e njeh përmes personave të tjerë. Dëshmitarët mund të dëshmojnë ndonjë takim të rastit me Luanin, por nuk mund të dëshmojnë se a njihen këta”, u shpreh Naim Rudari, avokat i pronarëve të kompanisë “Telkos”.
Të dyja propozimet e mbrojtjes së Latifit, u refuzuan nga gjykata.
“Refuzon propozimin për ftimin e dy dëshmitarëve Agron Bucolli dhe Arsim Demiri, ngase nga arsyetimi i dhënë, gjykata vlerëson se dëgjimi i tyre nuk do të kontribuoj asgjë në zgjidhjen e kësaj çështje. Refuzohet po ashtu, edhe propozimi i mbrojtësit qe të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, Arben Bilalli”, tha kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi.
Seanca tjetër, u vendos të mbahet më 29 mars, kur pritet që të mirret edhe vendimi ndaj Latifit.
Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.
Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.
Në seancën e mbajtur më datë 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.
Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Bilalli po akuzohej bashkë me ish-kryeshefin e KPM-së, Luan Latfi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. /Teve1.info/







